2009-03-15 13:31:05

Tri ditë lutjeje në Romë për martirët e sotëm të krishterë


(15.03.2009 RV)RealAudioMP3 “In memoriam martyrum": ky është titulli i takimit triditor, organizuar nga vepra ‘Ndihmë për Kishën që vuan”, që përfundoi sot në Romë. Tri ditë lutjeje e reflektimi mbi domethënien e martirizimit të krishterë në kohët tona, shoqëruar edhe me një ekspozitë, kushtuar martirëve dhe totalitarizmave moderne. Hapja e punimeve, pranë Universitetit të Shenjtes Krygjë, përkoi me përvjetorin e vdekjes së imzot Paulos Faraj Rahho, kryeipeshkëv i Mosulit të Kaldejve, rrëmbyer më 29 shkurt 2008 e rigjetur i vdekur 13 ditë më pas.
“Akt çnjerëzor dhune”: kështu e quajti Papa, një vit më parë, vdekjen e imzot Rahhos. Kryipeshkvi i Mosulit të Kaldejve u rrëmbye në fund të shkurtit e u rigjet pa jetë në rrethinat e Mosulit. Ja si e kujton don Renato Sako, drejtor i Pax Christi në Irak:

“Herën e fundit e pashë vitin e kaluar, një vit para se të vdiste. Ishte njeri i butë e njëkohësisht shakaxhi. Herën e fundit që u pamë, e pyeta: “Po tani, si të duket Mosuli?”. E ai m’u përgjigj me ton shakaje: “Eja e do të shikosh!”. Më duket e rëndësishme t’i kujtojmë së bashku të krishterët e vrarë vitet e fundit –e janë 710 vetëm ata, të cilëve u dihet emri. Por ka edhe shumë të tjerë, të paemër, ushtarë të panjohur të Krishtit, që i njeh veç Zoti”.

 
Këto fjalë, kushtuar martirëve me e pa emër të ditëve tona, nuk mund të mos na kujtojnë martirët shqiptarë, që jo shumë kohë më parë, derdhën gjakun për Krishtin. Janë shumë. Duhet të lexonim një listë të gjatë, për t’i kujtuar.Vetëm ata, për të cilët vijon procesi i lumnimit, janë 40. Sidoqoftë lista e tyre është në dorë të Zotit, që nuk e harron kurë flijimin e bijve të njohur e të panjohur në emër të Birit të Tij hyjnor.
E sot, dita e fundit e takimit, pikërisht në kujtim të martirëve u organizua një koncert me veprën e njohur të Bahut “Mundmet e Krishtit sipas Gjonit”.Me këtë rast u hap edhe ekspozita me titull “Martirët e totalitarizmave moderne”. Íshte një mënyrë, që shërbeu për të nënvizuar se edhe në shekullin XXI, Kisha vijon të numërojë viktima të reja e të shtojë radhët e martirëve. Imzot Sante Babolin, drejtor i lëvizjes ‘Ndihmë për Kishën që vuan” e komenton kështu martirizimin e krishterë:

"Kjo është pika qëndrore, dmth mundësia e martirizimit është pjesë thelbësore e fesë së krishterë. Jezu Krishti në Ungjill na kujton disa herë: “Kush dëshiron të jetë nxënësi im, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet e të më ndjekë”. Kjo do të thotë se duhet pranuar edhe mundësia e dhënies së jetës për Krishtin, sepse po të më duhet të zgjedh ndërmjet jetës e mohimit të fesë sime, në se jam nxënës i vërtetë i Krishtit, do të jap jetën për Të, mbasi – siç thotë Psalmi – Krishti vlen shumë më tepër se jeta”.

 
Sipas raporit të AKV 2008 në më se 60 vende të botës regjistrohen shkelje të rënda të lirisë fetare: mjafton të kujtohen Iraku, India, Kina e Nigeria e, në mënyrë të veçantë, Shtetet në të cilat sundon sharia. Po si mund ta kuptojnë sot, posaçërisht të rinjtë, vlerën e martirizimit? Përgjigjet përsëri imzot Babolin:

"Mendoj se të rinjtë e kuptojnë, në se u shpjegojmë se martirizimi është akti i dashurisë më të lartë”







All the contents on this site are copyrighted ©.