2009-03-14 15:29:17

Nuk është caktuar ende data e vizitës së Papës në sinangogë. Me ne kryetari i hebrenjve të Romës.


(15.03.2009 RV)RealAudioMP3 “Vizita e Papës në sinagogë është programuar, por data nuk është caktuar ende”. Kështu i përgjigjet drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Atë Federiko Lombardi, Rikardo Paçifiçit, kryetar i bashkësisë së hebrenjve të Romës, pasi që, gjatë një transmetimi televiziv, foli për një vizitë të shpejtë të Benediktit XVI në sinagogën e Romës. Rikardo Paçifiçi shtoi fjalë inkurajuese për misionin e Benediktit XVI në Lindjen e Mesme. Ta dëgjojmë:
 
Përgjigje: - Është ngjarje e jashtëzakonshme, në këtë çast, më shumë se kurrë. Është mesazh nga prijësi shpirtëror i njërës nga tri fetë e mëdha monoteiste, që do të vizitojë Lindjen e Mesme, jo vetëm Izraelin, e shpresojmë se do të mbartë mesazhin e pajtimit si dhe mundësinë për vënien në dukje të vlerave mbi të cilat hebraizmi e krishterimi themeluan demokracitë më të rëndësishme të botës, posaçërisht ato evropiane. E kjo ndodh në një çast, në të cilin ndjehet se diçka po lëviz, si pas veprimtarive të administratës Obama, me zonjën Klinton, ashtu edhe të Bashkimit Evropian. Krijohen mundësi të reja për t’i hapur përspektiva të reja popullit palestinez, me ndihma ekonomike të rëndësishme, që mund të shërbejnë për të hedhur themelet e shtetit të ardhshëm palestinez. E kjo ndodh menjëherë pas zgjedhjeve në Izrael, që e dimë të gjithë se ishin krejt të veçanta.

Pyetje: - Në këtë çast na duket themelor roli i feve në të mirën e procesit të paqes në Lindjen e Mesme?

Përgjigje: - Ekziston një ide e përbashkët në të cilën na duket se jemi burgosur të gjithë: ideja se fetë sjellin luftën: e kjo nuk është aspak e vërtetë. Nga mesazhet e vërteta të njerëzve të fesë – e theksoj – të vërteta, jo të manipuluara, të përdorura për qëllime politike, buron gjithnjë shpresa e sidomos, ftesa për të bashkëpunuar ngushtësisht në përpjekjen për ndërtimin e një shoqërie, në të cilën secili nga ne mund e duhet të bëjë diçka për të sjellur miëqenien për të gjithë.

Edhe Kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, shprehet për këtë vizitë, duke shtuar se Papa “do të shkojë me kënaqësi”.







All the contents on this site are copyrighted ©.