2009-03-12 15:56:46

Papa priti në audiencë delegacionin e Kryerabinit të Izraelit


(12.3.2009 RV)RealAudioMP3 Një rast për të përforcuar paqen e dialogun ndërfetar: këtë uroi Papa Benedikti XVI për vizitën e tij të ardhshme në Tokën Shenjte, në program në muajin maj. Ati i Shenjtë Jozef Racinger foli sot për këtë gjatë audiencës, në Vatikan, me delegacionin e Rabinatit të Madh të Izraelit e të Komisionit të Selisë së Shenjtë për marrëdhëniet fetare me Hebraizmin. Një moment domethënës për të ripohuar ekzistencën e marrëdhënieve të posaçme ndërmjet katolikëve e hebrenjve. Papa kujtoi se përforcimi i këtij dialogu është fryt i udhëtimit të Gjon Palit II në Tokën Shenjte në vitin 2000, nga i cili udhëtim apostolik buruan takimet ndërmjet dy organizmave të përmendura më sipër.
Do ta vizitoj Tokën Shenjte si shtegtar “për t’u lutur në mënyrë të posaçme për dhuratën e çmueshme të bashkimit e të paqes në rajon si dhe për familjen njerëzore në mbarë botën”: kështu e përmblodhi Benedikti XVI qëllimin e udhëtimit të tij të shumëpritur apostolik në muajin maj:
Uroj që vizita ime ta thellojë më tej dialogun e Kishës me popullin Hebré në mënyrë që hebrenjtë, të krishterët e myslimanët të mund të jetojnë në paqe e harmoni në këtë Tokë të Shenjtë”. Më tej Papa e vuri theksin mbi frytet që ka dhënë dialogu hebraiko - i krishterë. Një dialog, tha Ati i Shenjtë – që, siç na mëson dokumenti i Koncilit të II të Vatikanit “Nostra Aetate” është i domosdoshëm e i mundshëm” sepse kemi “një thesar të përbashkët shpirtëror”. E më tej Papa ripohoi “impenjimin personal të tij” për të çuar përpara vizionin e ravijëzuar nga dokumenti i Koncilit të II të Vatikanit, “Nostra Aetate”.
Duke punuar së bashku – tha Papa duke iu drejtuar dy delegacioneve të pranishme në audiencën e sotme në Vatikan – ju keni kuptuar gjithnjë e më tepër vlerat e përbashkëta që janë në themel të traditave fetare përkatëse”. E Ati i Shenjtë përmendi disa tema themelore që janë trajtuar në takimet e përvitshme bilaterale në Romë e Jeruzalem si: “shenjtërimi i jetës, vlerat familjare, drejtësia shoqërore e sjelljet morale” e akoma, “edukimi, marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve civile e fetare, liria fetare e ndërgjegjja”. Në deklaratat e përbashkëta në përfundim të takimeve, vërejti Ati i Shenjtë, janë “vënë në dukje” idetë e rrënjosura në të dyja palët rreth bindjeve fetare duke mos munguar të trajtohen e ballafaqohen edhe dallimet që ekzistojnë mes njërës e tjetrës bindje fetare:
“Kisha – vijoi Papa – pranon se zanafilla e fesë së vet” është e themeluar mbi ndërhyrjen hyjnore “në jetën e popullit hebre e se këtu qëndron aspekti unik i marrëdhënieve tona”. Të krishterët, janë “ të lumtur në njohjen e pranimin e faktit se rrënjët e fesë së tyre bazohen mbi vet-dëftimin e Zotit” prej nga ushqehet edhe përvoja fetare e popullit hebre.
Në përshëndetjen drejtuar Papës, kryerabini i Haifës, Shirë Jashuv Kohen, nënvizoi se ky takim përfaqëson një moment pozitiv në dialogun ndërmjet Kishës katolike e botës hebraike. Këndej, e falënderoi Papën për ripërtëritjen e angazhimit të tij për të vazhduar në udhën e përvijuar nga dokumenti “Nostra Aetate”, duke refuzuar çdo formë të antisemitizmit e të mohimit të Holokaustit. Së fundi, kryerabini lëvdoi rolin pozitiv që luan Vëzhguesi i Vatikanit në OKB duke bërë që Konferenca e ardhshme ndërkombëtare e Durbanit mbi racizmin të mos shndërrohet në një rast për të sulmuar Shtetin e Izraelit.







All the contents on this site are copyrighted ©.