2009-03-12 17:08:51

Letër e Papës mbi heqjen e shkishërimit të ipeshkvijve të shuguruar nga Imzot Lefevrë


(12.03.2009 RV)RealAudioMP3 U botua sot nga Salla e Shtypit të Vatikanit Letra e Benediktit XVI ipeshkvijve të Kishës katolike në lidhje me heqjen e shkishërimit të katër ipeshkijve të shuguruar nga Imzot Lefevrë.
Një letër plot kuptim për të thënë dy “fjalë sqaruese” mbi një çështje – shkruan Papa Racinger – që “ka ngjallur si brenda ashtu edhe jashtë Kishës Katolike diskutime aq të vrullshme që nuk dëgjoheshin prej kohësh”. Benedikti XVI flet në këtë letër për “ngurrimin” e shumë ipeshkvijve në lidhje me heqjen e shkishërimit, për urgjencën që kishte për të hequr këtë shkishërim si dhe për dobinë që do të sillte kjo gjë.
“Disa grupe, thuhet në letër- kanë akuzuar “haptas Papën se do të na çojë mbrapa, në kohën e para Koncilit” duke shkaktuar kështu “një ortek protestash”, pezmi i të cilave nxori në pah plagë të vjetra.”
“Një ngjarje e hidhur e paparashikueshme për mua – vijon Papa, – qe ajo se çështja Uilliamson doli sipër heqjes së shkishërimit.” Kështu që “kjo vepër heshtur e mëshirshme kundrejt katër ipeshkvijve, të cilët ishin shuguruar në mënyrë të vlefshme, por jo të ligjshme, u shfaq papritmas si diçka krejt e ndryshme: si përgënjeshtrim i pajtimit ndërmjet të krishterëve dhe hebrejve”, që pat qenë edhe synim i Koncilit, e “që qysh në fillim objektiv i punës sime personale teologjike.”

Benedikti XVI shpreh hidhërimin e tij të sinqertë për gabimet që janë bërë në interpretimin e kësaj ngjarjeje, për faktin se një përdorim më i mirë i internetit do të kishte bërë që të grumbulloheshin informacione më të dobishme për këtë rast si edhe për faktin se ky vendim nuk u shpjegua si duhet e “në mënyrë të mjaftueshme në çastin kur u botua”.
Sidoqoftë, pohon Ati i Shenjtë, “më trishtoi fakti se edhe katolikët, të cilët në fund të fundit duhet ta kishin ditur më mirë si qëndrojnë punët, menduan të më sulmojnë me armiqësi, të gatshëm për sulm. Pikërisht për këtë, shton më tej Ati i Shenjtë, i falenderoj edhe më tepër miqtë hebre të cilët dhanë ndihmesë për ta davaritur keqkuptimin dhe për rivendosjen e klimës së miqësisë dhe të besimit, që ashtu si në kohën e Papës Gjon Palit II, edhe gjatë periudhës së papnisë sime ka vazhduar të ekzistojë, e falë nderës së Zotit vazhdon të ekzistojë”.
Letra më pas përmend edhe faktin se Vëllazëria Shën Piu X nuk ka një pozitë kanonike në Kishë, dhe prandaj “ministrat e saj nuk ushtrojnë funksione legjitime të Kishës”. Kjo bazohet jo tek arsyet disiplinore por doktrinore. Për këtë Papa shfaq haptas “qëllimin e tij që në të ardhmen të shkrihet Komisioni Papnor “Eklezia Dei”, kompetent për marrëdhëniet me bashkësitë tradicionaliste, me Kongregatën e Doktrinës për Fenë, duke garantuar më mirë kështu edhe kolegjialitetin e procedurave dhe vendimeve. Kjo sqaron se problemet që duhen shqyrtuar tani janë të një natyre thelbësisht doktrinore dhe kanë të bëjnë mbi të gjitha me pranimin e Koncilit të Dytë të Vatikanit dhe magjisterit mbaskonciliar të Papëve”. “Bashkësia duhet ta ketë mirë të qartë se autoriteti magjisterial i Kishës nuk mund të ndërpritet me vitin 1962”. “Por disa prej atyreve që paraqiten si mbrojtës të mëdhenj të Koncilit, shton Benedikti XVI në letrën e vet – duhet t’u sjellim ndërmend edhe faktin se Koncili i Dytë i Vatikanit përmbledh në vetvete krejt historinë doktrinore të Kishës. Ata që duan të tregohen të bindur ndaj Koncilit duhet edhe të pranojnë fenë e shpallur nëpër shekuj dhe nuk munden t’ia presin rrënjët pemës prej të cilave ajo merr jetë”.
Atyre që pastaj ngritën pyetjen nëse heqja e shkishërimit qe me të vërtetë një gjë urgjente dhe me përparësi, Papa i përsërit përparësitë e papnisë së tij: “t’i çojë njerëzit drejt Zotit” në një kohë kur në zona të gjera të globit besimi fetar rrezikon të zhduket, e bashkë me të ekumenizmi, dialogu ndërfetar në shërbim të paqës, dëshmimi i dashurisë, apo thënë ndryshe përmasa shoqërore e besimit të krishterë.”
“Por përballë këtyre përparësive të mëdha, - shpjegon më tej në letrën e vet Papa, “ndodhi që në heshtje u shtri një dorë” e cila “çoi përpjetë shumë pluhur”. A mos vallë - thotë Papa, - është gabim t’i shtrish dorën vëllait i cili “ka diçka kundër teje” dhe të kërkosh pajtimin me të?”. Bëhet fjalë për disa gjeste, thuhet më tej në këtë letër të hapur, që ndihmojnë edhe në parandalimin e radikalizimin si edhe në ndryshimin e klimës brenda bashkësive të cilat pikërisht falë një dore të shtrirë mund të arrijnë deri aty sa t’i braktisin qëndrimet e tyre tepër të ngrira. Më tej – pyet Benedikti XVI – “a mund të na lërë krejtësisht indiferentë një bashkësi në të cilën bëjnë pjesë 491 meshtarë, 215 seminaristë, 6 seminare, 88 shkolla, 2 institute universitare, 117 fretën, 164 murgesha dhe me mijëra besimtarë? Mos duhet me të vërtetë t’i lëmë të ecin qorrazi, larg nga Kisha?... A mundemi që thjeshtë t’i përjashtojmë nga Kisha, si përfaqësues të një grupi radikal të dorës së dytë, t’i përjashtojmë nga pajtimi dhe nga bashkimi? E mbrapa, çfarë do të bëhet me ta?”
Benedikti XVI e mbyll letrën e tij duke cituar ftesën e Shën Palit Galatasve për ta dashur e për ta respektuar njëri-tjetrin: por nëse do ta kafshoni dhe do ta gëlltisni njëri-tjetrin – thotë Apostulli i popujve, – kini kujdes së paku që mos ta qitni fare krejtësisht njëri-tjetrin!”. “Fatkeqësisht – shton më tej Papa Racinger të kafshuarit e të gëlltiturit ekziston edhe sot e kësaj dite në Kishë si shprehje e një lirie të keqinterpretuar”.“Përsëri e rishtas –përfundon letrën e vet Papa – duhet të mësojmë përparësinë absolute: dashurinë.”







All the contents on this site are copyrighted ©.