2009-03-12 17:10:35

Kardinali Staford flet mbi krizën ekonomike: bankierët të kërkojnë të falur.


(12.03.2009 RV)RealAudioMP3 Në Romë, pranë Pallatit të Kancelarisë po zhvillohet “Kursi i gjykatores së brendshme”, organizuar nga Pendestaria Apostolike. Ditët e studimeve, që do të mbyllen të shtunën do të drejtohen nga kryetari i këtij institucioni kardinali Xhejms Fransis Staford. Mbi temën qendrore të kursit, që është Sakramenti i Rrëfimit, le të dëgjojmë vetë kardinalin Staford në mikrofonin tonë:

Përgjigje: Është e rëndësishme për ne të zbulojmë përmasën teologjike dhe baritore të mëkatit. Çfarë do të thotë të besosh në mëkatin? Mëkati nuk është një shkelje e ligjit, por para së gjithash një fyerje kundër një personi, një Personi hyjnor, kundër Trinisë Shenjte dhe kundër individit. Është e rëndësishme për ne ministrat e shuguruar që ta rizbulojmë besimin kur themi se Jezu Krishti është Shpëtimtari, Shëlbuesi i mëkateve tona.

Pyetje: Gjatë fjalës hyrëse të këtij kursi ju folët për nevojën e formimit të meshtarëve kur ka raste shumë të ndërlikuara dhe delikate. A mund të na përmendni disa prej tyre?

Përgjigje: Bota jonë është e ndërlikuar. Le ta çojmë mendjen tek sfera ekonomike e cila tashti po quhet globale: mëkatet në këtë botë ekonomike dhe globale janë, në krahasim me të kaluarën, të ndryshme për nga natyra e ndërlikuar që kanë si edhe për nga tërësia e tyre. Për shembull kjo krizë ekonomike e ka rrënjën tek mungesa e respektit nga ana e udhëheqësve botërorë kundrejt njerëzve të tjerë. Bankierët duhet të marrin mbi vete përgjegjësi morale dhe t’i kërkojnë Zotit falje për këto mëkate të kryera.







All the contents on this site are copyrighted ©.