2009-03-11 16:52:08

Toka Shenjte në pritje të Papës: komenti i Atë Pizabalës e i Rabinit Di Senji.


(11.03.2009 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI do të jetë i treti papë në historinë e Kishës, shtegtar në Tokën Shenjte, pas Palit VI në vitin 1964 e Gjon Palit II në vitin 2000. Njoftimi zyrtar në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar, u prit me gëzim nga të krishterët e jo të krishterët e Lindjes së Mesme. “Do të jetë një ngjarje e madhe, tejet prekëse e me rëndësi të dorës së parë – komenton presidenti izraelit Shimon Perez – nga e cila – shton ai - buron një frymë paqeje e shprese. Një vizitë prej tetë ditësh, nga data 8 deri më 15 maj, e ngarkuar me veprimtari dhe takime fetare e civile. Për atmosferën e pritjes na flet, nga Jeruzalemi, Rojtari i Tokës Shenjte, Atë Pierbatista Pizabala:

Pyetje: - Atë Pizabala, si e pritët këtë lajm, vënë në diskutim gjatë muajve të fundit për shkak të ndeshjeve të armatosura dhe të tensioneve ndërmjet botës së krishterë e asaj hebraike?

Përgjigje: - Natyrisht ishim në dijeni për këtë vendim, prandaj për ne nuk qe diçka e papritur. Megjithatë kjo nuk e pakëson kënaqësinë tonë e aq më pak, entuziazmin që na ngjall fakti se Papa do të vijë, sidomos duke pasur parasysh se këtë vizitë e njoftoi ai vetë, duke vënë kështu në dukje vlerën që ka kjo ngjarje e madhe, e cila sigurisht do të jetë krejt e veçantë.

Pyetje: - Benedikti XVI do ta kryejë këtë shtegtim – siç e ka paralajmëruar ai vetë – që t’i lutet Zotit për dhuratën e çmuar të bashkimit e të paqes në Lindjen e Mesme e në mbarë botën. Mund të duket një pyetje miturake, por gjithsesi ne po e bëjmë, sepse sipas nesh, me rëndësi: cila është, në këtë çast, pengesa më e madhe për arritjen e këtij qëllimi, që duket i pamundur pikërisht në Tokën Shenjte?

Përgjigje: - Nuk është aspak e lehtë të përgjigjesh. Po jap një përgjigje të çiltër, në përkim me vetë natyrën e pyetjes. Mendoj se problemi jemi ne vetë, janë njerëzit që jetojnë këtu, historitë, fetë, lidhjet e apasionuara, në mënyrë ndoshta edhe të tepruar, me identitetin vetjak e me frikën për ta pranuar tjetrin. Besoj se në këtë drejtim, vizita e Papës do të jetë një inkurajim i madh, do të na ndihmojë të shikojmë lart, të fluturojmë pakëz më lart, nga ç’kemi bërë deri tani.

Pyetje: - Atë Pizabala, priten vetëm rezultate të mira nga kjo vizitë, apo ka edhe dyshime e druajtje të mundshme për lindjen e keqkuptimeve nga ana e subjekteve të tjera politike e fetare?

Përgjigje: - Natyrisht Toka Shenjte është udhëkryq tepër delikat e edhe drejtpeshimet janë po aq delikate, si ndërmjet Kishave, ashtu edhe ndërmjet feve të ndryshme, popujve e politikës. Kështu mund të themi figurativisht se Papa hyn në një botë prej kristali, që rrezikon të kriset në shumë vende, sepse janë gjithnjë në pritë manipiulime të të gjitha natyrave. Por jam i sigurtë se Papa, me personalitetin e tij, me fjalën e tij, do t’i kapërcejë të gjitha këto pengesa.

Pyetje: - Si po përgatitet Rojtaria e Tokës Shenjte për këtë ngjarje të madhe?

Përgjigje: - Përgatitjet janë të shumta nga pikpamja organizative, fetare e liturgjike. Pak kohë më parë përfunduam disa takime e do të bëjmë edhe të tjera me të gjitha autoritetet kompetente. Nuk kemi shumë kohë, por besoj se do t’ia dalim mbanesh ta presim denjësisht Shenjtërinë e tij.

RealAudioMP3 Përgëzime për vizitën e Papës në Tokën Shenjte bënë edhe përfaqësues me rëndësi të botës hebraike në Itali. Kryerabini i Romës, Rikardo Senji, i cili pardje pati një bisedë të shkurtër me Papën, gjatë vizitës në Kampidol, shprehet kështu, në mikrofonin e Radios sonë:

Përgjigje: - Gëzohem që Papa do të shkojë në Tokën Shenjte e kështu do të prekë me dorë problemet e këtyre viseve e do të çojë edhe atje një mesazh të rëndësishëm pjesëmarrjeje.

 
Pyetje: - E sidomos, mesazhin e paqes; të një paqeje për të cilën ndjehet fort nevoja, sidomos në këtë çast, në Tokën Shenjte e në Izrael...

Përgjigje: - Për paqe ka gjithnjë nevojë e prandaj mirëseardhshin mbartësit e paqes e qoftë paqe reale!







All the contents on this site are copyrighted ©.