2009-03-11 16:52:41

Shën Bonifaci, Apostull i Gjermanisë


(11.03.2009 RV)I shtrirë në çadrën e tij, Bonifaci po pushon. Është fare e natyrshme për një burrë 80 vjeç, që ka bërë një udhëtim tepër të gjatë. Së bashku me disa shokë, endet nëpër zona të panjohura të Gjermanisë, për t’ua kumtuar Krishtin banorëve të vendit. Nuk mund të themi se është kënaqësi e madhe për një ipeshkëv 80 vjeçar, të ecë gjithë ditën e natën, pastaj, të flerë nën një çadër, në mes të pyllit të egër, të panjohur, përplot me të papritura. E megjithatë, Bonifaci është tejèt i kënaqur. Miqtë e lusin ta ndërpresë këtë shtegtim kaq të lodhshëm, po ai s’ua vë veshin fare: dëshiron ta vijojë misionin deri në fund të ditëve të veta. Deri në fund të fundit.
Bonifaci lindi në Angli rreth vitit 675. Prindërit ia ngjitën emrin Vinfrid: vetëm shumë vjet më vonë, vetë Papa do t’ia ndërronte këtë emër, duke e quajtur Bonifac. Ishte ende shumë i vogël, kur nisi t’u lutej prindërve ta çonin në kuvend, sepse ëndrra e tij më e dashur ishte t’i shërbente Hyjit. Sapo i kishte mbushur shtatë vjet, kur u bë murg!
Disa vjet më vonë, kur u shugurua meshtar, Bonifaci vendosi ç’ do të bënte në të ardhmen: do të shtegtonte për të përhapur fenë e krishterë. U nis, prandaj, për në Gjermani, ku kaloi gjithë jetën e ku kishte shumë për të bërë. Disa zona tashmë ishin kthyer në fenë e krishterë, sepse para Bonifacit, aty kishte kaluar miku i tij, Vilibrordi. Por njerëzit nuk e kishin kuptuar ende thellësisht besimin e ri, prandaj shpesh e ngatërronin Jezusin me hyjnitë e lashta. Sa e sa herë iu desh t’u shpjegonte e t’u rishpjegonte të sapopagëzuarve, se nuk duhet të adhuronin hyjni të tjera, veç Hyjit të të krishterëve! Ndërkaq, në zonat e thella, banorët nuk kishin dëgjuar kurrë të flitej për krishterimin; e Bonifacit i duhej të nisej nga zeroja për t’u shpjeguar kush ishte Jezusi. Ç’mision! Por edhe ç’kënaqësi të shikoje se si Gjermania, pak nga pak, bëhej e krishterë. Po, nuk ka asnjë dyshim! Këto udhëtime për Bonifacin ishin burim gëzimi, gjithnjë, gjithkund, edhe atëherë kur shtegtonte në vise të egra e të panjohura, në sa këmbët nuk e kishin më vrullin e moshës së re. E sot, në sa pushon nën çadër, falënderon Hyjin që ia mbushi jetën me entuziazëm. Por, papritmas, dëgjon përjashta një zhurmë skëterre. Atmosfera e qetë e pyllit mbushet plot me vringëllima armësh, me britma. Hov në këmbë, duke shtrënguar Biblën mes krahëve të kryqëzuar në kraharor, e del nga çadra për të parë ç’ngjet përjashta. Një grup luftëtarësh të egër sulmon kampin. Ç’ tmerr! Po masakrojnë shokët e Bonifacit. Ipeshkvi dëshiron t’i mbrojë duke e përdorur Biblën si të ishte mburojë. E kështu mbetet edhe ai vetë i vrarë, në shërbim të Hyjit deri në fund të fundit. Në sa ka arritur ta falënderojë për të fundit herë pikërisht në kohën e duhur!







All the contents on this site are copyrighted ©.