Papa në audiencën e përgjithshme, flet për Shën Bonifacin e dënon terrorizmin që rrezikon
procesin e paqes në Ulster.
(12.03.2009 RV)“Lutem që
askush të mos i nënshtrohet tundimit të tmerrshëm të dhunës”. Thirrja e Benediktit
XVI për paqe në Irlandën e Veriut, vënë në rrezik nga dy atentatet e fundit, ishte
në qendër të vëmendjes në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin
e Shën Pjetrit në Vatikan. Paskatekizmit, kushtuar figurës së Shën Bonifacit,
ipeshkëv që jetoi në shekullin VIII, Papa kërkoi të shumëfishohen përpjekjet për të
mos i shuar shpresat, që u ndezën nga procesi i paqes në Ulster.
Tre të vdekur,
si rrufe në qiell të kthjellët, në tokën që tridhjetë vjet me radhë u mbyt në gjak
nga një urrejtje, në dukje e pashërueshme, por që më pas u paqëtua për një dhjetëvjeçar,
falë drejtpeshimit të brishtë, arritur në të Premten e Madhe të vitit 1998. Tani në
Ulster rikthehet frika e vjetër e Benedikti XVI nuk vonon të shprehë mendimin e tij,
duke e dënuar ashpër rikthimin e dhunës, që i kushtoi jetën dy ushtarëve britanikë
dhe një polici: “Dënoj vendosmërisht këto akte të urryera të terrorizmit
të cilat, përveçse dhunojnë jetën njerëzore, dëmtojnë seriozisht procesin politik
në vijim në Irlandën e Veriut dhe krijojnë rrezikun e shuarjes së shpresave, që lindën
nga ky proces në zonë e në botë. I lutem Zotit që askush të mos ia lejojë vetes të
mposhtet përsëri nga tundimi i dhunës, por secili t’i shumfishojë përpjekjet për të
vijuar, me durimin e dialogut, ndërtimin e një shoqërie paqësore, të drejtë e të pajtuar”. E
katekizmin e sotëm Papa ia kushtoi pikërisht një njeriu, i cili në kohët e tij pati
punuar, e me sukses, për një shoqëri paqësore, të drejtë, ku duhet të mbretëronte
pajtimi, që buron nga vlerat e krishtera. Duke folur për ipeshkvin anglosakson, Shën
Bonifacin, i cili jetoi 1300 vjet më parë, Benedikti XVI e quajti “misionar i madh”,
që predikoi Ungjillin në Evropën qëndrore me rezultate të tilla, sa të mbetej në kujtesën
e njerëzimit si ‘apostull i gjermanëve”. “Ai shartoi në trungun e popujve
gjermanikë një stil jete më njerëzor, falë të cilit respektoheshin më mirë të drejtat
e patjetërsueshme të njeriut (…). Duke e krahasuar fenë e tij të flaktë e zellin e
tij për Ungjillin me fenë tonë, tepër shpesh të vaktë e të burokratizuar, shohim ç’duhet
të bëjmë e si duhet ta përtërijmë fenë tonë, për t’i dhuruar kohëve tona, margaritarin
e çmuar të Ungjillit”. Falë këtyre cilësive të mëdha prej apostulli, të
cilave u shtohej edhe një kulturë e rafinuar dhe e gjithanëshme, Bonifaci kërkoi e
mori leje nga Papa Gregori, i cili e shuguroi ipeshkëv, të nisej për të predikuar
Ungjillin në qendër të Evropës, duke hequr dorë nga qetësia e nga studimet e jetës
monastike. Nisi kështu një veprimtari të palodhshme, i mbështetur prej murgjërve e
murgeshave, nga përshpirtëria e të cilëve vinte e për të cilët themeloi manastire
të reja. Ky përkushtim e kjo besnikëri e pacënueshme ndaj Selisë Apostolike, ia ndryshuan
faqen Evropës: “Fryt i këtij impenjimi qe fryma e fuqishme e lidhjes rreth
Pasardhësit të Shën Pjetrit, që Bonifaci ua transmetoi Kishave të territorit të misionit,
duke bashkuar me Romën Anglinë, Gjermaninë, Francën e duke kontribuar, kështu, në
mënyrë vendimtare, për hedhjen e atyre rrënjëve të krishtera të Evropës, që do të
prodhonin fryte të begata në shekujt e mëpasëm”. Shën Bonifaci vdiq martir
në vitin 754: por nuk vdiq zelli i tij e stili i tij baritor, në qendër të të cilit
ishte gjithnjë Fjala e Hyjit, e as predikimi i tij i pareshtur, që e vijoi deri në
moshë të shtyrë. Një stil – pohoi Papa – që u kujton besimtarëve të sotëm se krishterimi,
duke favorizuar përhapjen e kulturës, luan një rol të dorës së parë në përparimin
e njeriut. E pikërisht mbi zellin e Shën Bonifacit vuri theksin Papa gjatë përshëndetjeve
drejtuar grupeve të ndryshme dioqezane, të pranishme në audiencë, duke e treguar si
shembull që meriton të ndiqet, posaçërisht në këtë kohë Krezhmësh: “Miq të
dashur, kjo koha jonë, në të cilën nuk mungojnë hijet, duhet ndriçuar nga dielli i
gjallë i shpresës, nga Krishti, shpresa jonë. Ai premtoi se do të rrinte gjithnjë
me ne e ne e ndjemë praninë e tij në mënyra nga më të ndryshmet. E keni për detyrë
ta kumtoni e ta dëshmoni dashurinë e panjollë, që na shoqëron në çdo situatë. Mos
u lodhni kurrë s’i besuari Krishtit e s’e përhapuri Ungjillin e tij në çdo mjedis”. Në
përfundim, një çast prekës: Papa, para se të largohej nga audienca, për t’u rikthyer
në Pallatin Apostolik, u takua për pak çaste me Gjampiero Stekato-n, një punonjës
i hekurudhës së Piaçencës, 58 vjeç, i paralizuar nga ‘sindroma e Locked-in’, ndonëse
plotësisht i ndërgjegjshëm. Burri, i shoqëruar nga bashkëshortja, Luçia e nga dy fëmijët,
i dorëzoi Benediktit XVI një mesazh në të cilin, ndërmjet tjerash, shkruan: “Dëshiroj
të transmetoj atë, që trupi im rrezikon ta ndryjë: kam dëshirë të jetoj! Falënderoj
pambarimisht Zotin për privilegjin e të jetuarit.