2009-03-10 17:41:52

Konferencë shtypi sot në Jeruzalem mbi vizitën e ardhshme të Benediktit XVI në Tokën e Shenjtë


(10.03.2009 RV)RealAudioMP3 U zhvillua sot paradite në qendrën Notrë Damë në Jeruzalem konferenca e shtypit në të cilën nunci apostolik Imzot Antonio Franko, së bashku me disa përfaqësues të kishave katolike të Jeruzalemit – ndër të cilët edhe vikari patrik maronit dhe ai melkit – lajmëruan vizitën e Benediktit XVI në Tokën e Shenjtë.
Pasi u lexua lajmi i Sallës së Shtypit të Vatikanit dhe ai i dhënë nga vetë Papa gjatë Lutjes së Engjëllit të Tenzot të dielën që shkoi, Imzot Franko lajmëroi datat e disa prej takimeve më kryesore dhe nënvizoi se çastet më të rëndësishme të shtegtimit do të jenë tri Meshët e hapura për popullin: ajo në Jeruzalem, ku priten pesë mijë vetë, në Betlehem dhe në fund në Nazaret ku edhe pritet përqëndrimi më i madh i besimtarëve: nga dyzet deri në pesëdhjetë mijë vetë.
Në vijim nunci apostolik u shpjegoi gazetarëve se pikërisht në Nazaret do të kremtohet edhe përfundimi i vitit që prelatët e Tokës Shenjte ia kanë kushtuar familjes. Po këtu Papa do të bekojë edhe gurin e themelit të një qendre për familjet. Çaste të tjera kulmore të vizitës do të jenë shtegtimi në Çenakull, ditën e parë ky, dhe te Varri i Shenjtë, ditën e fundit.
Gjithashtu nuk do të mungojnë edhe vizitat zyrtare, si përshembull vizita presidentit të Izraelit dhe presidentit të Autoritetit Kombëtar Palestinez. Nga ana tjetër parashikohen edhe vizita, takime ekumenike e ndërfetare, ndër të cilat vizita Myftiut të Madh të Jeruzalemit dhe vizita në Kubenë e Shkëmbit te Fusha e Xhamive, lutja tek Muri Perëndimor dhe ajo tek Jad Vashem, ku Ati i Shenjtë do të nderojë viktimat e holokaustit. Vizitë tjetër është edhe ajo e Rabinëve të Mëdhej të Jeruzalemit pranë Qendrës Heçal Shlomo.
Në vazhdim nunci apostolik sqaroi edhe ndjetin e kësaj vizite në Tokën e Shenjtë që vetë Papa e ka bërë të njohur. Ky do të jetë para së gjithash një shtegtim për të kërkuar dhantinë e paqës dhe të bashkimit për Tokën e Shenjte, për Lindjen e mesme dhe për të gjithë botën. Po ashtu, ky shtegtim shpreh solidaritetin dhe afërsinë e Atit të Shenjtë Benediktit XVI me banorët e Izraelit dhe të Palestinës.
Imzot Franko tha se i ka bërë shtetit izraelit dy kërkesa që janë pritur pa pengesa: e para që të vijë një delegacion i të krishterëve nga Gaza – dhe së paku dy autobusa me besimtarë të marrin pjesë në Meshën që do të kremtohet në Betlehem; e dyta, të gjithë të krishterët të mund të shkojnë pa pengesa në vendet ku do të ketë kremtime eukaristike.







All the contents on this site are copyrighted ©.