2009-03-10 17:42:10

Ipeshkvijtë e SHBA pas autorizimit të Obamës për kërkime shkencore mbi qelizat staminale embrionale: fitore e politikës mbi etikën!


(10.03.2009 RV)RealAudioMP3 “Një veprim moralisht i gabuar, që inkurajon trajtimin e qenies njerëzore si të ishte mall tregu”: ky është komenti i hidhur i episkopatit amerikan për nënshkrimin e një urdhëri ekzekutiv nga ana e Barak Obamës, që autorizon financimin publik të kërkimeve shkencore mbi qelizat staminale embrionale. Për lëvizjet amerikane pro-life, ky qëndrim i presidentit të SHBA-ve është një vendim pastërtisht idelogjik.
“Fitore e trishtuar e politikës mbi shkencën e mbi etikën”: kështu e komentoi kardinali Justin Rigali vendimin e marrë nga presidenti Barak Obama për të autorizuar kërkimin shkencor mbi qelizat staminale embrionale. Në një notë, kryetari i Komisionit të episkopatit amerikan për mbrojtjen e jetës, nënvizon se “direktivat e reja të administratës së Uashingtonit janë moralisht të gabuara, sepse inkurajojnë shkatërrimin e jetëve të pafajshme”. Nga ana tjetër – thekson kardinali – duke autorizuar për herë të parë përdorimin për këtë qëllim të fondeve publike, “nënvleftësohen vlerat e atyre miliona kontribuesëve amerikanë, që i kundërvihen kërkimeve mbi embrionet”. Mbi vendimin e Obamës për t’i hapur rrugën financimeve federale për kërkime mbi staminalet embrionale, të ndjekim komentin e profesor Françesko D’Agostinos, kryetar i Komitetit italian të bioetikës:

Përgjigje: - Në rastin e Obamës, edhe një herë çështja është propagandistike, me që një pjesë e madhe e kërkimit shkencor në SHBA bazohet mbi fondet publike e vetëm një pjesë fare e vogël, mbi fondet shtetërore.

Pyetje: - “Presidenti amerikan e konsideron këtë si ‘mbrojtje e lirisë për kërkime shkencore’…

Përgjigje: - Duke qenë i lirë, shkencëtari nuk mund e nuk duhet të ushtrojë dhunë mbi qeniet e tjera njerëzore. Bioetika lindi pikërisht për këtë: nuk do të kishte fare nevojë për bioetikë, në se parimi sipas të cilit shkencëtari mund të bëjë kërkime si të dojë, kur të dojë e me kë të dojë, do të pranohej si parim paqësor e jo problematik.

Pyetje: - Gjithnjë presidenti Obama nënvizoi: duhet të punojmë për të lehtësuar vuajtjen njerëzore…

Përgjigje: - Ta kufizosh vuajtjen njerëzore është detyra e parë e mjekësisë, me kusht që të mos rëndohet vuajtja e disave, për të lehtësuar vuajtjen e të tjerëve. Të gjitha eksperimentet, që ne zakonisht i quajmë të ‘mjekësisë çnjerëzore’, patën si qëllim përparimin e njohurive shkencore, por për fat të keq qenë eksperimente të kryera përmes shkatërrimit ose dhunës së palejueshmne mbi jetë të tjera njerëzore. Në një letër drejtuar Obamës më 16 janarin e kaluar, kryetari i ipeshkvijve amerikanë, kardinali Frensis Xhorxh, e pati nxitur presidentin të garantonte mbrojtjen e jetës. E pati nënvizuar se, ndërsa kërkimi shkencor mbi qelizat staminale të të rriturve, që Kisha e inkurajon, ka pasur gjithnjë rezultate të dukshme, siç pohohet edhe nga revista” Shkenca”, rezultatet e arritura në kërkimin mbi qelizat embrionale, janë krejt të papërfillshme.

Vendimi i Obamës nxjerr në plan të parë diskutimin mbi dinjitetin e njeriut, të cilit i kushtohet Udhëzimi “Dignitas personæ”, publikuar në dhjetorin e kaluar. Kisha, lexohet në dokumentin e Vatikanit, një shekull më parë mbrojti me guxim punëtorët, të cilëve u shkeleshin të drejtat e tyre; sot mbron një kategori tjetër, atë të njeriut që sapo është zënë, të cilit i mohohet e drejta themelore për të jetuar. Kërkimi shkencor mbi qelizat staminale embrionale, vëren Udhëzimi, është për t’u dënuar sepse i mungon jo vetëm drita e Zotit, por edhe humaniteti.







All the contents on this site are copyrighted ©.