Kalendari kishtar më 9 mars përkujton Shën Françeskën Romake
(09.3.2009 RV)Sot Kisha përkujtoi Shën Françeskën romake. Shën Françeska Romake,
bijë e një familjeje fisnike, me një shpirt edhe më fisnik, lindi në Romë në vitin
e largët 1384. Ndonëse e rrethuar nga pasuria e luksi i familjes, ajo ndjeu që shpejt
dëshirën të hynte në kuvend. Nuk mundi ta realizonte këtë dëshirë, sepse në atë kohë
për vajzën vendoste familja. E martuan, pa e pyetur, e megjithatë, gjë që ndodhte
tepër rrallë, martesa e saj qe e lumtur. Nusja e re, 13 vjeçe, u rrethua me pasuri,
dashuri, nderime, tituj fisnikërie; Zoti e bekoi familjen e e re me tre fëmijë. Po
shpejt gëzimet do të ktheheshin në dhimbje. Françeska humbi njërin pas tjetrit, dy
fëmijë. I shoqi u plagos rëndë gjatë një ndeshjeje ndërmjet antipapës Gjoni XXIII
me mbretin e Napolit, Ladislaun, i cili e pushtoi dy herë Romën. Atëherë ajo e ktheu
pallatin në strehë për të varfrit e vetveten, në nënë, motër e bijë të atyre që s'kishin
nënë, motër as bijë. Për ta zgjëruar më tej veprimtarinë e saj, më 1425 themeloi Kongregatën
e Motrave Oblate Olivetane të Shën Marisë së Re; tri vjet pas vdekjes së bashkëshortit,
bëri kushtet rregulltare e nisi të thirrej Françeska Romake. Ndërroi jetë më 9 mars
1440. Trupi i saj u vendos në kishën e Shën Marisë së Re, e cila më pas mori emrin
e Shën Françeskës. Mbarë Roma qe e pranishme në salikimet e asaj, që e kishte konsideruar
të shenjtë që më të gjallë. Kisha e shpalli shenjte më 1608.