2009-03-09 16:17:11

Engjëlli Tënzot: Papa kujton Ditën e gruas, paraqet Nënë Terezën si shembull për të gjitha gratë dhe njofton udhëtimin në Tokën e Shenjtë dhe në Kamerun e Angola


(09.3.2009 RV)RealAudioMP3 Dje gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot Benedikti XVI kujtoi Ditën e 8 marsit kushtuar grave e paraqiti Nënë Terezën si shembull për të gjitha gratë që “në fshehtësi” punojnë për të mirën e njerëzimit. Ati i Shenjtë Racinger u kërkoi besimtarëve t’i lutën Zotit për udhëtimet e tij të afërta në Afrikë, nga data 17 deri më 23 mars, e në Tokën e Shenjtë, ku do të shkojë nga data 8 deri më 15 maj.
Kështu pra, Papa Benedikti XVI njoftoi se në maj do të shtegtojë në tokën e Jezusit:
Nga 8 deri më 15 maj do të kryejë një shtegtim në Tokën e Shenjtë për t’i kërkuar Zotit, duke i vizituar vendet e shenjtëruara nga kalimi i tij tokësor, dhuratën e çmuar të bashkimit e të paqes në Lindjen e Mesme dhe për mbarë njerëzimin. Që tani llogaris në mbështetjen shpirtërore të të gjithë juve, në mënyrë që Zoti të më përcjellë e t’i mbush me hiret e tij hyjnore të gjithë ata që do t’i takojë gjatë udhës time”.
Duke pranuar ftesën e mbretit të Jordanisë, të presidentit të Izraelit, të presidentit të Autoritetit Palestinez e të Asamblesë së ipeshkvijve katolikë – lexohet në komunikatën e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – Benedikti XVI “do të shkojë në Aman, Jerusalem, Betlehem e Nazaret”. Pak para lajmërimit të shtegtimit në Tokën e Shenjtë, Papa kujtoi një udhëtim tjerë apostolikë që do ta bëj së shpejti:
Javën e ardhshme, nga data 17 deri më 23 mars, do të shkojë në Afrikë, së pari në Kamerun e këndej në Angola, për të dëshmuar afërsinë konkrete timen e të Kishës, të krishterëve e popullsive të atij kontinenti të cilin e kam posaçërisht për zemër”.
Gjithnjë gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot dje në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa u ndal tek pjesa e Ungjillit të liturgjisë së dielës së dytë të Kreshmëve që flet mbi Shndërrimin e Jezusin. Duke komentuar këtë pjesë ungjillore, Papa tha se “kur Jezusi merr me vete mbi një mal të lartë Pjetrin, Jakobin e Gjonin “shndërrohet”: fytyra e tij e personi i tij u bënë ndriçuese të bardha, sa që asnjë zbardhues mbi tokë nuk mund t’i zbardhojë ashtu. Shndërrimi i Jezusit – shpjegoi Papa –ka qenë thellësisht një eksperiencë lutjeje:
Në të vërtetë, lutja e arrijnë kulmin e vet, e prandaj bëhet burim i dritës së brendshme, kur shpirti i njeriun aderon me atë të Hyjit e vullnetet e tyre shkrihen aq sa bëhen një i vetëm. Kur Jezusi ngritët mbi mal, zhytet në kundrimin e planit të dashurisë së Atit, i cili e pati dërguar në botë për ta shpëtuar njerëzimin”.
E në vazhdim Ati i Shenjtë Racinger i ftoi besimtarët dhe shtegtarët e pranishëm në lutjen e mesditës në Vatikan, t’i lutën Zotit, t’i kushtojnë kohë dëgjimit të Fjalës Hyjnore e meditimit të mistereve të Krishtit:
Së bashku me agjërimin dhe veprat e mëshirshme, lutja formon strukturën bartëse të jetës sonë shpirtërore. Të dashur vëllezër e motra, gjatë kësaj kohe të Kreshmëve, ju ftoj të gjeni çaste të volitshme për heshtje e ushtrime shpirtërore, për ta rishikuar jetën personale në dritën e planit të dashurisë së Atit qiellor. Lejoni që Virgjëra Mari, mësuese e shembull i lutjes, të ju udhëheq në dëgjimin intensiv të Zotit”.
E mendimi i Papës shkoi në Ditën e djeshme të gruas:
Data e sotme – 8 mars – na fton të reflektojmë mbi kushtet e grave e të ripërtërijmë angazhimin tonë, në mënyrë që gjithmonë e kudo, çdo grua të mund të jetojë e t’i shfaq plotësisht aftësinë e veta duke arritur respektin e plotë për dinjitetin e saj”.
Në këtë drejtim – kujtoi Papa Benedikti XVI – janë shprehur Koncili i Dytë i Vatikanit dhe magjisteri papnor, në mënyrë të veçantë Letra apostolike e shërbëtorit të Zotit Gjon Palit II ‘Mulieris dignitatem’.
“...E epoka jonë ka pasur Nënë Terezën e Kalkutës: bijën e përvujtë të Shqipërisë, e cila në saje të hirit të Zotit, u bë shembull për tërë botën në ushtrimin e dashurisë e në shërbimin e promovimit njerëzor. Sa e sa gra tjera punojnë çdo ditë, në fshehtësi, për të mirën e njerëzimit e për Mbretërinë e Zotit! Sot, siguroi lutjen time Zotit për të gjitha gratë, që të jenë gjithnjë e më të respektuara në dinjitetin e tyre e të vlerësuara në aftësitë e tyre pozitive”.







All the contents on this site are copyrighted ©.