2009-03-07 17:41:34

Zgjidhja e krizës ekonomike fillon nga vënia e personit në qendër të poltikave


(07.03.2009 RV)RealAudioMP3 Për herë të parë gjatë tetë vjetëve, prodhimi i brendshëm australian shënon rënie, ndërsa qeveria japoneze, edhe ajo për herë të parë, ka vënë në dispozicion të ndërmarrjeve 5 miliard dollarë nga rezervat në valutë: janë të dhënat e fundit të një krize ekonomike gjithnjë e më globale. Nga ana tjetër, ndërsa bursat vuajnë, presidenti amerikan Barak Obama shprehet me optimizëm për kapërcimin e vështirësive financiare. Për të gjithë është e qartë se duhen ndryshuar rregullat e sistemit. Për të folur mbi këtë, në dritën e doktrinës shoqërore të Kishës, ftuam sot në studio profesorin italian Flavio Feliçe, pedagog i Doktrinave Ekonomike dhe Politike në Universitetin papnor Lateranens të Romës. Kohët e fundit, profesori ka botuar librin “Ekonomia shoqërore e tregut”. Ta dëgjojmë:
Kjo është hera e parë në histori që një krizë financiare, një krizë ekonomike, nga kombëtare ose minimalisht ndërkombëtare, bëhet me të vërtetë globale. Ky është edhe motivi për të cilin masat e marra nga shtetet e veçanta, nuk po sjellin akoma rezultate, pasi tregjet, të cilat përbëhen nga njerëz, nuk ndihen të garantuara nga këto vendime.
Kriza ekonomike sjell edhe mosbesim për të ardhmen, frikë, prirje për t’u mbyllur në vetvete: mjafton të mendojmë për proteksionizmin. Ndoshta është e nevojshme edhe një shtytje drejt shpresës…
Nga pikpamja e krishterë, e reflektimit të krishterë, shpresa është virtyt dhe si e tillë, nuk mund të mungojë në jetën e të krishterit. Nuk është optimizmi me të cilin shpesh e mbushin gojën pushtetarët, të cilët u flasin personave që nuk paguhen e u thonë të vazhdojnë të shpenzojnë! Nuk është kjo. Duhet të rishikojmë hierarkinë e vlerave dhe të vendosim në majë të saj diçka, që nuk është e lidhur thjesht me kërkesën për mallra e shërbime, po shkon përtej. Kjo “diçka” që shkon përtej, në të vërtetë është “dikush”, është njeriu.
Kisha, në doktrinën e saj shoqërore, ka theksuar gjithnjë se ekonomia është në shërbim të njeriut e jo e kundërta. A është e mundur të riorientohet sistemi ekonomik botëror, kaq i ndërlidhur, kaq i ndërlikuar e global, drejt këtij parimi?
Doktrina shoqërore e Kishës, që në fillimet e saj me “Rerum Novarum” në vitin 1891 e deri me “Centesimus Annus” në vitin 1991, ofron një bashkësi parimesh, kriteresh për gjykim, direktivash për veprim që orientojnë e prandaj, mund të orientojnë edhe në marrjen e vendimeve politike, që vënë në qendër njeriun. Doktrina shoqërore e Kishës, e në mënyrë të veçantë “Centesimus Annus”, në paragrafin 42, tregon kriteret sipas të cilave duhet gjykuar një sistem ekonomik për Njeriun, ose një sistem ekonomik që është kundër Njeriut, e prandaj duhet dënuar e hedhur poshtë. Karakteristika të këtij sistemi janë liria, krijimtaria, prona private, por sidomos, kushti i fundit që lidh e ekuilibron të parat, është korniza juridike. Një sistem rregullash, pasi liria, e vetme, mund të përdoret për mirë, por edhe për keq.







All the contents on this site are copyrighted ©.