2009-03-07 14:39:47

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


(08.3.2009 RV)Sot më 8 mars, kisha kremtoi te dielën e II te Kreshmëve e po sot më 8 mars nga kalendari kishtar përkujtohet Shën Gjoni i Zotit, themelues i Kongregatës Fatebenefratelli, pajtor i të sëmurëve e i punonjësve të spitaleve. Liturgjia e festës së tij na kujton se shijimi i të mirave të kësaj bote jo vetëm që nuk na i siguron të mirat e jetës së amshuar, por përkundrazi, na rrezikon t’i humbasim. Fati në jetën tjetër të pasosur qiellore, varet nga mënyra e përdorimit të të mirave të kësaj bote që Zoti na ka dhuruar.

Të hënën më 9 mars, kalendari kishtar përkujton Shën Françeska romake, themeluese e Oblateve të Tor’ de Speki, dyzet Martirët e Sebastes dhe Shën Katerina e Bolonjës. Liturgjiana kujton se mbretëria e Zotit realizohet në mënyra të ndryshme. Në se e humbasim, faji nuk është i Zotit, por yni, që s’ ditëm ta fitojmë.
 
Të martën më 10 mars, kalendari kishtar përkujton Shën Simpliçi, papë dhe Shën Gjoni Ogjilvič, meshtar jezuit e martir. Liturgjia e ditës na kujtojnë se vëmendja e Jezusit për mëkatarët e shkandullon njeriun, i cili e mban veten të drejtë. E prandaj shembëlltyra e Djalit plëngprishës nuk e vë theksin mbi këtë qëndrim, por mbi gëzimin për shpëtimin e birit të humbur e të rikthyer tek ati.


Të mërkurën e ardhshme më 11 mars, sipas kalendarit kishtar do të përkujtojë Shën Maksimilianin, martir e Shën Inoçencin, papë. Liturgjia e ditës na kujtojnë se udha që çon drejt shëlbimit kërkon edhe nga ne, si nga Naamani, të shndërrohemi, të harrojmë mburrjen e vetdashjen e ta lëshojmë plotësisht e përvujtërisht vetveten në dorë të Zotit.
 
Të enjten e ardhsh më 12 mars, kalendari liturgjik e përkujton Shën Sabinin, martir; Shën Patricien; Shën Kristinen martire e Shën Leandrin, ipeshkëv të Seviljes.Liturgjia e ditës na kujton se kur i lutemi Zotit të na falë, ai i Lumi na tregon një rrugë paradoksale: do të falemi, vetëm në se edhe ne falim atë që kemi pranë.
 
Të premtën më 13 mars, kalendari kishtar përkujton Shën Matilden, mbretëreshë dhe i Lumin Plaçido Rikardi, murg. Liturgjia e ditës na kujtojnë se të jesh i krishterë nuk do të thotë vetëm t’u bindesh urdhërimeve të Tënzot. Kryesisht duhet të dëgjosh Krishtin, që është Rruga, e Vërteta e Jeta dhe ta zbatosh Fjalën e tij.
 
Të shtunën e ardhshme më 14 mars, bie festa e Shën Zakarisë papë; të Shën Luizës de Marijak, bashkëthemeluese e Bijave të dashurisë e të Shën Klementit Hofbauer, meshtar redentorist. Liturgjia e ditës na kujton rëndësinë e dëgjimit të fjalës së Zotit e të ballafaqimit me të, sa herë që, si farizejtë, tundohemi të gjykojmë njerëz e ngjarje.

Të dielën e ardhshme më 15 mars, bie e diela III e Kreshmëve e po më 15 mars kalendari kishtar përkujton Shën Hilarin e Shën Tacianin, martirë të Akuilesë. Liturgjia na kujtojnë se Zoti ka fjalët e jetës së amshuar, se është dashuri e se na fton të duam e të duhemi.







All the contents on this site are copyrighted ©.