Kostandin Kristoforidhi në 182-vjetorin e vdekjes.
(07.03.2009 RV)Më 7 mars 1827 ndërroi jetë biblisti, gjuhëtari, leksikografi
dhe atdhetari i njohur, Kostandin Kristoforidhi, vepra e të cilit shërbeu si një nga
gurët e themelit për lavrimin e gjuhës shqipe. Ashtu si ndër vendet më të zhvilluara
të botës historia e gjuhës fillon me përkthimin e Shkrimit Shenjt, ashtu edhe dokumentet
e para të shqipes së shkruar e të lavruar lidhen në mënyrë të pandashme me Shkrimin
Shenjt, duke nisur që nga Formula e Pagëzimit - dokumenti i parë, te Meshari i Buzukut
- libri i parë e tek përkthimet madhore e Kritoforidhit, për të mos vijuar me kohët
tona. Kristoforidhi lindi e vdiq në Elbasan. Mësimet e para i kreu në shkollën
greke të vendlindjes, të mesmet në gjimnazin e famshëm Zosimea të Janinës. Këtu u
njoh me albanologun e famshëm gjerman, Hahn, të cilit i mësoi shqipen. Duke shëtitur
në vise të ndryshme të Shqipërisë përkrah Hahnit, i dha atij një lëndë të begatë gjuhësore,
por u pajis edhe vetë me njohuri të thella për gjuhën shqipe. Më vonë vijoi studimet
në Maltë; u kthye sërisht në Shqipëri e punoi si mësues në Tiranë, për të vijuar përsëri
studimet, këtë radhë në Angli. Pas kryerjes së studimeve ushtroi profesionin e mësuesit
në një shkollë të Tunizit, ku edhe u martua me një greke. Në këtë kohë iu vu përkthimit
të "Dhjatës së Re" apo "Besëlidhjes së Re", të cilën e botoi më 1866 në Kostantinopojë
me titull: "Katër ungjillat dhe punët e apostujve". Libri pati shumë jehonë në Shqipëri
dhe në kolonitë shqiptare, ku të krishterët kishin aq nevojë për ta kremtuar liturgjinë
në gjuhën shqipe. Vijoi punën me përkthimin në dy dialekte, gegërisht e toskërisht,
të disa pjesëve të "Dhjatës së Vjetër" apo "Besëlidhjes së Vjetër", të cilën e botoi
më 1879. Më pas botoi një "Gramatikë" dhe përgatiti "Fjalorin shqip-greqisht", vepër
postume. Me këto vepra, të cilave u shtohen "Abetaret" e para shqipe pas Veqilharxhit,
tregimi "Gjahu i Malcorëve" dhe vjersha e parë shqipe për fëmijë, ai nisi të quhej
nga bashkëkohasit "babai i gjuhës shqipe". Puna e Kristoforidhit për përkthimin e
Shkrimit Shenjt mbetet një nga kontributet kryesore të tij për fenë e atdheun. Gegë
vetë, në përkthimin e Shkrimit Shenjt ai i përdori të dy dialektet, duke derdhur kështu
në një lum ujëplotë, dy përrenjtë e fuqishëm dialektorë të gjuhës shqipe.