2009-03-07 17:48:05

Efikasiteti i drejtësisë ndërkombëtare: intervistë me ekspertin e Universitetit të Padovës.


(07.03.2009 RV)RealAudioMP3 Mjetet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në botë janë zgjeruar mjaft gjatë viteve të fundit, pas ngjarjeve dramatike në ish-Jugosllavi, në Ruandë e në Lindjen e Mesme. Akti i fundit është ngritja e gjykatës së veçantë për Libanin. Pavarësisht nga kjo, e drejta penale ndërkombëtare ndeshet shpesh me pengesa, të cilat varen nga interesat politike e strategjitë diplomatike të shteteve të ndryshme, si në rastin e disa eksponentëve të qeverisë sudaneze, përgjegjës për krimet në Darfur, që nuk mundën të procesoheshin nga Prokuroria e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Pikërisht për të kuptuar se deri ku mund të shtyhet drejtësia ndërkombëtare, pyetëm titullarin e katedrës së UNESCO-s për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe paqen në Universitetin e Padovës në Itali, prof. Antonio Papiska:
Të kemi parasysh atë që ekziston e funksionon aktualisht: kemi një Gjykatë Penale Ndërkombëtare të përhershme, që ka juridiksion me karakter universal; pastaj, kemi gjykata të veçanta me formula organizative të ndryshme, sipas situatës. Pra, gjykatat si ajo për ish-Jugosllavinë, për Ruandën e tani, edhe për Libanin, janë organizma që veprojnë duke marrë parasysh si rastin e veçantë në proces, ashtu edhe interesat politike.
Pra, Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe gjykatat e veçanta dallohen nga njëra-tjetra dhe ndjekin një ideal të ndryshëm të së drejtës ndërkombëtare?
Gjykata Penale Ndërkombëtare funksionon në bazë të një traktati ndërkombëtar. Në gjykatat e tjera, kemi një formë tjetër juridike, që i bën ato të ligjshme. Gjithsesi, në të gjitha rastet, mbizotëron autoriteti me karakater politik e madje edhe politiko-moral i Kombeve të Bashkuara.
Me një fjalë, shtetet që nuk e njohin autoritetin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, nuk janë subjekt i juridiksionit të saj?
Po, ky është një kufizim i madh i funskionimit aktual të Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Të gjithë e dinë se atë nuk e pranojnë SHBA-të, pasi nuk kanë ratifikuar Konventën e Romës, e në rrugën e SHBA-ve, edhe shtete të tjera më pak të fuqishme, që nuk i binden autoritetit të magjistraturës ndërkombëtare.
Deklarata “nuk e njoh autoritetin e kësaj gjykate” është bërë strategji tashmë…
Karaxhiqi ka bërë një deklaratë të tillë, pikërisht pak ditë më parë, në gjurmët e deklaratës së Millosheviçit, i cili mohonte juridiksionin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për krimet në ish-Jugosllavi. Këta janë individë të veçantë, por duhet të kujtojmë se një nga parimet e së drejtës penale ndërkombëtare është ai i përgjegjësisë penale personale, e cila mund të ndiqet edhe në seli ndërkombëtare. Gjithsesi, të shohim aspektet pozitive. Po krijohet një sistem drejtësie ndërkombëtare, gjithnjë e më tepër i përshkuar nga ideale, parime, që janë brenda legjislacionit për të drejtat e njeriut. Ky është një aspekt shumë pozitiv për t’i siguruar të njëjtin dinjitet të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.