2009-03-06 17:31:03

U bë i njohur programi i vizitës së Papës në bashkinë e Romës


(06.03.2009 RV)Salla e Shtypit e Vatikanit bëri të ditur sot programin e vizitës së Benediktit XVI në bashkinë e Romës, të hënën më 9 mars. Mbërritja e Papës parashikohet në orën 10.50. Do të pritet nga kryetari i bashkisë, Xhani Alemano e bashkëshortja. Më pas, Ati i Shenjtë do të dalë në ballkonin e zyrës së z. Alemano, që sheh Forin Romak. Në orën 11.10, përshëndetja me këshilltarët e funksionarët e bashkisë, në Sallën e Sixhadeve, ndjekur nga nënshkrimi i “Librit të Artë” të miqve në Sallën e Flamujve. Në orën 11.30, në Sallën Xhulio Çesare, do të fillojë mbledhja e jashtëzakonshme e këshillit bashkiak: pas përshëndetjes së kryetarit të bashkisë, Papa do të mbajë një fjalim. Në orën 12.20, Ati i Shenjtë do të përshëndesë qytetarët e mbledhur në Sheshin e Kampidoljos nga Llozha e Pallatit të Senatorit. Nga sheshi i mrekullueshëm i Mikelanxhelos, do të zhvendoset në Kuvendin e Shën Françeskës Romake në Tor de’ Specchi, ku do të pritet nga imzot Ernesto Mandara, ipeshkëv ndihmës për qendrën e kryeqytetit italian, e nga nënë Maria Kamila Rea, eprore e kuvendit. Në Kapelën e Korit, Papa do të adhurojë të Shenjtnueshmnin Sakrament e do të lutet para trupit të shën Françeskës Romake. Më pas, eprorja do t’i drejtojë Atit të Shenjtë një përshëndetje, e ndjekur nga fjalimi i Benediktit XVI. Në orën 13.15, Papa do të kthehet në Vatikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.