2009-03-06 17:32:08

Ditë e vështirë për tregun financiar. Intervistë me ekspertin e Universitetit "Bocconi"


(06.03.2009 RV)RealAudioMP3 Edhe sot një ditë e vështirë për tregjet financiare. Pas problemeve të rënda të djeshme në Tokio, treguesi Nikkei humbi 3,5%. Ndihet rreziku i falimentimit të kolosit automobilistik amerikan “General Motors” e mungesa e planit për zhvillimin ekonomik në Kinë. Pavarësisht nga masat e marra në të gjithë botën, tregjet duket se nuk përgjigjen pozitivisht. Pse ndodh kjo? Pyetëm profesorin italian Karlo Altomonte, ekonomist në Universitetin “Bocconi” të Milanos:
Ajo që po ndodh, që nga dhjetori e këtej, është pakësimi i kredive për ndërmarrjet, pra bankat po japin më pak para hua në nivel evropian. Kjo keqëson situatën.
Profesor, a ekziston rreziku i “deflacionit”, pra i uljes së përgjithshme të çmimeve më shumë nga sa mund të përballojnë prodhuesit?
Nuk besoj se është rrezik për një kohë afatshkurtër, në kuptimin që sigurisht çmimet po ulen e janë në nivele shumë të ulta, si në Evropë, ashtu edhe në SHBA e Kinë, megjithëse asnjë vend nuk rezulton teknikisht në deflacion, pra me tregues negativë të çmimeve. Në këtë fazë po asistojmë në reduktimin e inflacionit, pra shpejtësia e rritjes së çmimeve është ulur. Sipas meje, rreziku kryesor do të shfaqet pas nja dy vjetësh, pikërisht kur kriza të jetë në zgjidhje e sipër, e ky rrezik është rritja e inflacionit. Do të ndodhë, sepse kemi një masë të jashtëzakonshme parash, që është futur në sistem e, sepse akoma nuk janë zgjidhur problemet e ofertës për naftën e lëndët e tjera të para.







All the contents on this site are copyrighted ©.