2009-03-06 17:30:52

Dita e parafundit e ushtrimeve shpirtërore në Vatikan. Krezhmët na shtyjnë të eliminojmë gjërat e tepërta.


(06.03.2009 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI dhe bashkëpunëtorët e tij kryesorë të Kuries Romake përjetuan sot ditën e parafundit të ushtrimeve shpirtërore të Kreshmëve. Kardinali Frensis Arinze, i cili do të mbajë nesër paradite reflektimin e fundit, sot meditoi mbi shpalljen e Fjalës së Zotit e mbi pasojat praktike të dëgjimit e të zbatimit të saj. Predikatari i sivjetëm i ushtrimeve shpirtërore u frymëzua, ndër të tjera, edhe nga këshillat që Shën Pali Apostull i jep Timoteut, duke ngulur këmbë në shpalljen e Fjalës së Hyjit “në momentin e përshtatshëm ose jo”. Në dukje, një kontradiktë, për sqarimin e së cilës kërkuam mendimin e kryeipeshkvit të Peskara-Pene, imzot Tomazo Valentineti, president i organizatës kishtare “Pax Christi”:
Shën Pali Apostull ushtron shumë e shumë presion mbi dishepullin e vet Timoteu, që të jetë gati ta shpallë Fjalën e Hyjit në çdo rrethanë, e madje edhe në situata në të cilat duket sikur nuk është momenti për dëshmimin e Fjalës në jetë. Besoj se bukuria e një jete të shpenzuar për Ungjillin mund të qëndrojë pikërisht në atë shpallje të papërshtatshme, që bota e refuzon, por që mund të jetë ajo shenjë kontradikte, ajo shenjë bukurie që na bën besimtarë brenda një historie, e cila na kërkon fjalë e dëshmi gjithnjë e më efikase.
Edhe një frazë tjetër, e marrë nga Ungjilli i Shën Lukës, ka qenë në qendër të ditës së sotme të ushtrimeve shpirtërore në Vatikan. Jezusi thotë se kush e dëgjon dhe e vë në jetë Fjalën e Zotit është “vëllai, motra e nëna” e Tij. Tri role të rëndësishme, të cilat kërkojnë një vetëdije, që pak të krishterë e kanë sot…
Po, por sidomos sepse, në të vërtetë, e gjithë kjo kërkon ta ndjekim Krishtin në shpalljen e Fjalës së Hyjit e kërkon edhe familjaritet me Zotin vetë. Shpallja, që bëhet pavarësisht nga familjariteti me Zotin, nuk shpreh përvojën më të bukur, më të thjeshtë e më njerëzore, që mund të jetohet brenda familjes. Të mendojmë për bukurinë e shpalljes së Fjalës nga Maria: megjithëse ajo nuk flet kurrë në Ungjill, sigurisht që shpreh me jetën e saj praninë e Krishtit në ngjarjet njerëzore e shpirtërore që i përkasin. Mendoj se fraza mund të interpretohet kështu: të qëndrojmë me Jezusin si familjarë, pasi prej kësaj lind përvoja e ndjekjes së Tij dhe e shpalljes së Fjalës së Hyjit, që ka një ngrohtësi krejt tjetër nga fjala e thënë vetëm për hir të detyrës, apo profesionit.







All the contents on this site are copyrighted ©.