2009-03-05 15:52:09

Enciklika e parë e Papës Gjon Pali II “Redemptor hominis” mbush 30 vjet


(05.03.2009 RV)Tridhjetë vjet më parë, më 4 mars 1979, Papa Gjon Pali II nënshkruante Enciklikën e parë të papnisë së tij të gjatë, “Redemptor Hominis”. Një dokument, që edhe sot ruan të pacënuar përmasën profetike.
Fillon kështu: “Shëlbuesi i njeriut, Jezu Krishti, është qendra e kozmosit dhe e historisë”. Një himn kushtuar Zotit, i cili duke u mishëruar, u bashkua me çdo njeri, që “çdo njeri pa përjashtim të shëlbohej nga Krishti”, edhe kur nuk është i vetëdijshëm për këtë. Për këtë arësye – shkruan Papa Vojtila – njeriu është rruga e parë e themelore e Kishës, e cila dëshiron t’i shërbejë këtij qëllimi të vetëm: që çdo njeri të gjejë Krishtin, pasi “vetëm në të, në Birin e Zotit, ka shpëtim”.
Në fakt, vazhdon Papa, njeriu nuk mund të jetojë pa dashuri. Ai mbetet për vetveten një qënie e pakuptueshme, jeta e tij është pa kuptim, nëse nuk i zbulohet dashuria, nëse nuk e takon dashurinë, nuk e eksperimenton dhe e bën të vetën. E “Zoti është dashuri”, dashuri më e madhe se mëkati, se dobësia… më e fortë se vdekja…dashuri gjithnjë gati të falë. Ky zbulim i dashurisë, që përkufizohet edhe si mëshirë, ka në histori, një formë e një emër: quhet Jezu Krisht. Përmes Kryqit, Krishti i dha njeriut përfundimisht, dinjitetin dhe kuptimin e ekzistencës së vet".
Kisha, sqaron Gjon Pali II më tej në Enciklikë, pavarësisht nga kufizimet e saj, shpall këtë të vërtetë, që nuk vjen nga njerëzit, por nga Zoti. Kisha, Korpi i Krishtit, që në asnjë mënyrë nuk përzihet me bashkësinë politike e nuk është e lidhur me asnjë sistem politik, nuk mund të mbetet e pandjeshme ndaj gjithçkaje që i shërben së mirës së vërtetë të njeriut, as mund të qëndrojë indiferente përballë kërcënimeve të botës së sotme, pikërisht sepse është e lidhur pazgjidhshmërisht me Krishtin, që shëlben. Papa Vojtila përshkruan ankthin e njeriut para asaj që prodhon me duart e veta, frikën e tij para rezultatit të punës intelektuale, para prirjeve të vullnetit të tij. E këtu përmend emegjencën e ndotjes së ambientit, luftrat, armët atomike, padrejtësitë, urinë, mungesën e respektit për jetën. Pyet nëse i ashtuquajturi “progres” e bën më njerëzore jetën mbi Tokë dhe nëse e përmirëson njeriun, nëse e bën më të matur shpirtërisht, më të vetëdijshëm për dinjitetin e vet, më të përgjegjshëm, më mikpritës me të tjerët, sidomos me nevojtarët e më të dobtit, më të gatshëm për t’i ndihmuar.
“Situata e njeriut bashkëkohor – shkruante Gjon Pali II, tridhjetë vjet më parë – duket larg kërkesave objektive të rendit moral, të drejtësisë, e akoma më shumë, të dashurisë shoqërore”. Njeriu është gjithnjë e më tepër skllav i gjërave, skllav i sistemeve ekonomike, skllav i prodhimit, skllav i produkteve të veta. Një qytetërim me profil pastërtisht materialist e dënon njeriun me këtë skllavëri.
Por Papa tregon rrugën. Kisha – pohon Vojtila – shpall të vërtetën që na bën të lirë, shpall Ungjillin e dashurisë në Krishtin Shpëtimtar, i cili thotë: “Pa mua nuk mund të bëni asgjë”. Për këtë arësye, Enciklika mbyllet me një ftesë të zjarrtë e të përvujtë për lutje. “Unë shpresoj – shkruante Ati i Shenjtë – që falë lutjes, t’i lejojmë Shpirtit të Shenjtë të zbresë ndër ne e të bëhemi kështu, dëshmitarë të Krishtit ‘deri në kufijtë e skajshëm të tokës’ si ata që dolën nga Çenakulli i Jeruzalemit në ditën e Rrëshajave”.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.