2009-03-04 16:59:22

Vazhdojnë në Vatikan ushtrimet shpirtërore për kohën e Kreshmëve, në praninë e Papës e të Kuries Romake


(04.3.2009 RV)RealAudioMP3 Vazhdojnë në Vatikan, në kapelën Redemptortis Mater, ushtrimet shpirtërore për kohën e Kreshmëve, në praninë e Papës e të Kuries Romake. Ndër temat e meditimit, që u trajtuan sot nga kardinali Francis Arinze, ishte thirrja e Shën Palit drejtuar Galatasve: “ Mbarteni peshën e njëri tjetrit: kështu e plotësoni ligjin e Krishtit”. Një argument ky që i bën jehonë thirrjes së Benediktit XVI për të jetuar Kreshmët, në mënyrë të veçantë në këtë moment të krizës ekonomike, duke iu përgjigjur nevojave të shumë vëllezërve, që gjenden në vështirësi të mëdha. Lidhur me këtë, të dëgjojmë mendimin e drejtorit të Karitasit romak, mons. Guerino Di Tora:
Rasti i krizës ekonomike, që po shtrihet në mbarë botën, ndoshta është qortimi më i mirë për të hyrë në një stil të ndryshëm jetese, që na çon të rizbulojmë gjithnjë më tepër vlerat njerëzore. Papa nënvizon se kthimi i vërtetë tek Zoti nuk mund të jetë vetëm ai i ndryshimit të vetvetes, por edhe i të afërmit, e kështu bëhet gati një lloj garancie e kthimit dhe përmirësimit të përbashkët. Duhet të ketë një bashkim të thellë mes asaj që duhet të jetë takimi me veten e me Zotin dhe asaj, që në traditën kishtare quhet lëmoshë, do të thotë vëmendje, përkujdesje e bamirësi ndaj vëllait, që është në vështirësi e në varfëri”.







All the contents on this site are copyrighted ©.