2009-03-03 17:45:13

Famullitari i Gazës: Hamasi dhe Izraeli do të pengojnë ardhjen e të hollave në vend.


(03.03.2009 RV)“Për miliarda është folur edhe në Anapolis si edhe në takime të tjera pararendëse, por kurrë nuk mbërritën të holla, nuk u bë asgjë.” Famullitari i Gazës, Atë Musalam, e komenton kështu përfundimin e Konferencës së Sharm-El Shaikut në të cilën morën pjesë më shumë se 70 vende dhe 16 organizata ndërkombëtare, konferencë kjo që pritet se do të sjellë afro 5.2 miliardë dollarë në arkën e shtetit palestinez, një pjesë e së cilëve do të jepet për rindërtimin e Gazës.
“Njerëzit këtu, në Gazë - pohoi famullitari Musalam për agjencinë katolike të lajmeve Sir – janë pesimistë për ardhjen e këtyre të hollave. Si mund të vinë kur Hamasi nuk lejon askënd të punojë pa lejen e tij këtu e aq më pak Fatahun? Nga ana tjetër Izraeli nuk do të lejojë kalimin e materialeve të ndërtimit.” Kemi nevojë sot për këto ndihma, sepse ka familje që iu është prishur shtëpia, që jetojnë nëpër çadra, në të ftohtë, në shi.”- vijoi Atë Musalam. Sipas famullitarit të Gazës e vetmja gjë që mund ta zhbllokojë situatën është pajtimi ndërmjet Fatahut dhe Hamasit. Vetëm kjo mund të sjellë shpresë për rindërtimin e Gazës.







All the contents on this site are copyrighted ©.