Përkujtojmë 564 vjetorin e Kuvendit të Lezhës mbajtur me 2 mars 1444 në Kishën katedrale
të Shën Kollit
(02.3.2009 RV)Duke shfletuar kalendarin historik, sot përkujtojmë 564 vjetorin
e Kuvendit të Lezhës. Pra, pikërisht si sot, më 2 mars 1444 në Kishës katedrale të
Shën Kollit në qytetin e Lezhës, ku sot gjendet dhe memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut,
u mbajt Besëlidhja e Lezhës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit
shqiptar gjatë periudhës së mesjetës e të tërë historisë kombëtare. Ishte
2 marsi i vitit 1444, kur Gjergj Kastriot Skënderbeu, menjëherë pas kthimit nga Turqia,
për herë të parë në historinë e mesjetës shqiptare mblodhi në një kuvend të gjitha
principatat shqiptare, me qëllim përballimin e sulmit otoman. Pikërisht, realizimi
i bashkimit të gjithë princave shqiptarë në një kuvend të përbashkët nga ana e Skënderbeut
përbën edhe njërën ndër idetë më të mëdha e novatore të tij. Në Kuvendin e
Lezhës u mblodhën principata shqiptare nga veriu në jug, ku më të rëndësishmet ishin
Arianitasit, Dukagjinasit, Balshajt dhe Topiat, ndërsa nga pikëpamja ballkanike në
të mori pjesë dhe princi i Malit të Zi. Kuvendi vendosi komandant të përgjithshëm
të Lidhjes Skënderbeun, duke njohur autoritetin e tij politik dhe ushtarak. Që prej
këtij bashkimi udhëheqësi legjendar rriti rezistencën e ushtrisë së tij dhe drejtoi
luftën për 25 vjet me radhë kundër pushtimit otoman. Po t'i refrohesh dokumentacionit
historik kuvendi i Besëlidhjes nuk u mbajt rastësisht në qytetin e Lezhës, i cili
në atë kohë ishte në zotërimin e Venedikut. Kjo ngjarje e rëndësishme u zhvillua në
këtë qytet, pasi Lezha nuk përfaqësonte kryeqendrën e principatave dhe në këtë mënyrë
shmangeshin grindjet e mundshme dhe krijohej ideja e barazisë. Kjo është
cilësuar nga shumë figura të asaj kohe edhe si një nga veprimet diplomatike të Skënderbeut.
Kuvendi u mbajt në Lezhë, duke ditur faktin se Lezha me anë të pushtetit venedikas
do të shërbente edhe si faktor përkrahje në Evropë, pasi një nga idetë me të mëdha
të Lidhjes ishte integrimi i Shqipërisë në Evropën perëndimore. Besëlidhja
e Lezhës përbën një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së mesjetës shqiptare.