2009-03-02 17:18:40

Papa: thirrje për mbrojtjen e punëtorëve të goditur nga kriza ekonomike e të familjeve të tyre.


(02.3.2009 RV)Papa bën thirrje për mbrojtjen e punëtorëve të goditur nga kriza ekonomike: në këtë situatë – tha Benedikti XVI dje gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në Vatikan – duhet t’u jepet përparësi punëtorëve e familjeve të tyre. E dje në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan qenë të pranishëm punëtorë të industrisë automobilistike italiane “Fiat” nga Pomiljano d’Arko, për të manifestuar shqetësimin e tyre për të ardhmen e fabrikës dhe të mijëra personave puna e të cilëve, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, varet nga fabrika në fjalë. E duke përmendur edhe situata të tjera po aq të rënda, siç është kriza në Sardenjë, Toskanë e qendra të tjera në Itali e në botë, Papa tha:
“Bashkohem me ipeshkvijtë e me Kishat përkatëse lokale duke shprehur afërsinë time me familjet, që janë të prekura nga problemi i krizës ekonomike, e përmes lutjeve të mia ia besoj mbrojtjes së Nënës së Shenjtë Mari e Shën Jozefit, pajtorit qiellor të punëtorëve. Dua t’u shpreh mbështetjen time autoriteteve politike e civile, si dhe afaristëve, që me ndihmën e bashkëpunimin e të gjithëve të mund të përballohet ky moment kaq delikat. Vërtet, është i nevojshëm një angazhim i përbashkët i fortë, duke pasur parasysh se duhet t’u jepet përparësi punëtorëve e familjeve të tyre”.
Pastaj duke kujtuar Ungjillin e së dielës së parë të Kreshmëve, që na paraqet Jezusin në shkretëtirë, Papa i ftoi besimtarët të rizbulojnë kuptimin e agjërimit që “na ndihmon ta zotërojmë më shumë vetveten, ta luftojmë mëkatin, ta duam të afërmin tonë e së fundi, ta kryejmë me gatishmëri vullnetin e Zotit”. Benedikti XVI i nxiti besimtarët të “largohen nga mëkati” e ta “ndryshojnë rrënjësisht jetën”, duke luftuar kundër të gjitha tundimeve. Këndej Papa u ndal mbi domethënien e pranisë së Jezusit në shkretëtirë, ku u tundua nga djalli:
Në shkretëtirë, vend sprove, siç dëshmon përvoja e popullit të Izraelit, shfaqet me dramatizëm të gjallë realiteti i kenos-it, i zbrazjes së Krishtit, i cili u zhvesh nga trajta e Zotit (krh Fil2,6-7). Ai, që nuk ka mëkat e nuk mund të mëkatojë, i nënshtrohet sprovës e prandaj mund të vuajë dhimbjet tona (krh Heb 4,15). Jezusi e lejon veten të tundohet nga Djalli, kundërshtar, i cili qysh në fillim ka kundërshtuar planin shëlbimprurës të Zotit në favor të njerëzve”.
Në shkretëtirë Jezusit i shërbenin engjëjt “figura plot dritë e të mistershme”. “Prania siguruese e engjëllit të Zotit – kujtoi Papa – e shoqëron popullin e Izraelit në të gjitha ngjarjet e tij të mira e të këqija”.
Të dashur vëllezër e motra, do t’i hiqnim një pjesë të konsiderueshme Ungjillit, po t’i linim mënjanë këto qenie të dërguara nga Hyji, të cilat kumtojnë praninë e tij në mesin tonë e janë shenjë e kësaj pranie Hyjnore. Le t’u drejtohemi atyre shpesh me lutje, që të na mbështesin në udhën tonë gjurmëve të Jezusit deri në identifikimin me Të. T’u kërkojmë Engjëjve, në mënyrë të posaçme sot, të më ruajnë mua e bashkëpunëtorët e Kuries Romake që këtë pasdite, si çdo vit, do të fillojmë javën e Ushtrimeve shpirtërore. Maria, Mbretëresha e Engjëjve, lutu për ne!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.