Meditimet e para të Kreshmëve të kardinalit Arinze në Ushtrimet shpirtërore me Papën
në Vatikan
(02.03.2009 RV)Filloi mbrëmë me kremtimin e Lutjeve të Mbrëmësores në Kapelën
Redemptoris Mater të Pallatit Apostolik, java tradicionale e Ushtrimeve shpirtërore
të Kreshmëve në Vatikan. Meditimet e sivjetme i mban prefekti i nderit i Kongregatës
për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, kardinali Frensis Arinze. Tema: “Meshtari
takon Jezusin dhe e ndjek”. Mbi përmbajtjen e reflektimeve të veta, që vazhduan edhe
sot, të dëgjojmë kardinalin Arinze, në mikrofonin tonë: E gjithë jeta e krishterë
mund të mendohet si një thirrje e Jezusit për ta ndjekur. E meqë shumica e atyre që
marrin pjesë në ushtrimet shpirtërore me Atin e Shenjtë janë meshtarë – presbiterë,
ipeshkvij, kardinaj – mendova për këtë temë. Është një titull programatik: ditën e
parë, meshtari ndjek Jezusin për të takuar Zotin, që duhet të ketë vendin e parë në
jetën tonë. Ditën e dytë, meshtari beson në Jezusin në Eukaristi, në Shkrimin e Shenjtë.
Ditën e tretë, beson në Jezusin në Kishë, e takon në Kishë e në personat e tjerë,
që bëjnë pjesë në të, po ashtu, edhe në veprën misionare. Ditën e katërt, meshtari
e takon Jezusin në lutje: personale, komunitare, në liturgji. E pastaj, ditën e fundit,
takon Jezusin, që ka mëshirë për popullin e sëmurë dhe të uritur për të vërtetën.
Jezusi nuk na premton një ekskursion, por na premton një jetë me kuptim. Hirësi,
meditimet tuaja do të jenë kryesisht shpirtërore, apo do të shoqërohen edhe me shembuj
konkrete, të jetuara, jetësh meshtarake? Po: do të ketë disa shembuj. Unë kam
qenë meshtar e ipeshkëv në Nigeri për 25 vjet, e 25 vjet të tjera në Kurien Romake.
Kam përvojë që mund t’u shërbejë të tjerëve: sa më shumë bashkëndahet përvoja e jetuar,
aq më e vërtetë është dëshmia. Natyrisht, përvoja e njërit nuk është e njëjtë me atë
të tjetrit, por hiri i Zotit mund të na ndihmojë. Në fund të fundit, është Shpirti
i Shenjtë që i ndriçon zemrat, ashtu si di Ai vetë. Rezultati varet nga përgjigjia
e secilit, që është e ndryshme nga ajo e të tjerëve. Ju keni qenë për shumë
vjet bashkëpunëtor i drejtpërdrejtë i dy papëve e shpesh keni marrë pjesë në ushtrimet
shpirtërore të Krezhmëve. Ç’përfaqëson për anëtarët e Kuries Romake kjo tërheqje nga
përgjegjësitë e tyre të shumta? Përgjigjia, në kuptimin e përgjithshëm, është
e njëjtë për të gjithë. Krejt jeta jonë duhet të jetë për Zotin. Por, duke qenë ne
njerëz tokësorë, jemi subjekt shkujdesjeje. Atëherë, është mirë që nganjëherë t’i
kushtojmë një kohë të veçantë Zotit, megjithëse krejt jeta jonë është për Zotin. Por
nuk jemi të aftë të përqëndrohemi shumë mbi Të, gjithmonë. Atëherë, ja gjashtë ditë
përqëndrimi, gjatë të cilave nuk do të shqetësohemi për detyrat e përditshme, por,
me Jezusin në qendër, para Tij – duke dëgjuar, medituar, duke u lutur e duke kënduar
– do të përpiqemi të kuptojmë më mirë se çfarë do Ai nga ne. Si mund t’i kryejmë më
mirë të gjitha detyrat tona të përditshme, që gjithsesi janë të rëndësishme.