2009-03-01 16:00:32

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


(01.3.2009 RV)RealAudioMP3 Sot më 1 mars, bie e diela e Parë e Kreshmëve e po sot kalendari kishtar përkujton edhe Shën Feliçin, papë e Shën Albinin, ipeshkëv të Anzhés. Në liturgjinë e festës së tyre jehon fuqimisht britma e njeriut mëkatar të penduar, drejtuar Zotit: “Dëgjoje, o Zot, të varfrin që të lutet!”.

Nesër e hënë më 2 mars, sipas kalendarit kishtar bie Shën Angjela e Kryqit, virgjër. Liturgjia e ditës na kujton uratën zhigjetore: “Na fal o Zot, e ne do të jetojmë”.
 
Të martën më 3 mars, kalendari kishtar përkujton Shën Kunegonden, bashkëshorte e Enrikut II perandor. Liturgjia na kujton se vërtetë i lum është vetëm njeriu që i qëndron besnik ligjit të Zotit.
 
Të mërkurën më 4 mars, kalendari kishtar përkujton Shën Kazimirin. Liturgjia na kujton se mbretëria e Zotit realizohet në mënyra të ndryshme. Në se e humbasim, faji nuk është i Zotit, por yni, që s’ ditëm ta fitojmë.

Të enjten më 5 mars, kalendari do të përkujton Shën Lucjanin I Papë, Shën Adrianin martir e Shën Gjonin e kryqit, meshtar françeskan. Liturgjia e ditës na kujtojnë se dashuria e mëshira shkojnë krah për krah. Në se nuk e kuptojmë këtë, jo vetëm që nuk mund ta quajmë veten bij të Hyjit, por rrezikohemi të meritojmë dënimin e përjetshëm. Prej këndej, të lutemi me Psalmistin: “Na fal, o Zot, në mëshirën tënde!”.
 
Të premten që vjen, më 6 mars, perkujtohet Shën Roza nga Viterbo, virgjër françeskane dhe Shën Koleta Boilčs, themeluese e klariseve të varfra. Liturgjia e ditës na kujton sa i madh është ndryshimi ndërmjet asaj që themi e asaj që bëjmë. Duke pasur për model Atin qiellor e për mësues Krishtin, të mos harrojmë kurrë se duhet të sillemi si shërbëtori para zotërisë e si nxënësi para mësuesit.
 
Të shtunën e ardhshme më 7 mars, kalendari kishtar përkujton Shenjtoret Perpetua e Feliçita. Liturgjia e ditës na kujtojnë se mbretëria e Hyjit ndryshon krejtësisht nga mbretëritë e kësaj bote. Kush dëshiron të hyjë në të, duhet të ecë në udhën e shërbimit e të pijë kelkun e mundimeve për të shijuar më pas ringjalljen në Krishtin Zot.
 
Të dielën e ardhshme bie e diela e Dytë e Kreshmëve e po të dielën më 8 mars nga kalendari kishtar përkujtohet Shën Gjoni i Zotit, themelues i Kongregatës Fatebenefratelli, pajtor i të sëmurëve e i punonjësve të spitaleve. Liturgjia e festës së tij na kujton se shijimi i të mirave të kësaj bote jo vetëm që nuk na i siguron të mirat e jetës së amshuar, por përkundrazi, na rrezikon t’i humbasim. Fati në jetën tjetër varet nga mënyra e përdorimit të të mirave të kësaj bote.







All the contents on this site are copyrighted ©.