(28.2.2009 RV)Duke shfletuar kalendarin historik, me 28 shkurt përkujtojmë
ideologun e Rilindjes Kombëtare, poetin Jeronim de Rada në përvjetorin e vdekjes. Kur
flasim për etërit e kombit shqiptar nuk ka sesi të mos bjerë në sy fakti se shumë
nga frymëzuesit e një Shqipërie të pavarur ishin poetë me shpirt si Naimi, Pashko
Vasa, Fishta e të tjerë. Vend të dukshëm mes tyre zë Jeronim de Rada, arbëreshi i
Makies së Kalabrisë. Vizioni që ai si poet kishte për një Shqipëri të lirë e të pavarur,
u shndërrua në një realitet politik e De Rada vetë në ideologun e parë të Rilindjes
Kombtare, duke iu imponuar të gjitha planeve të politikanëve ballkanikë. Ky qe triumfi
i shpirtit të dlirë të poetit mbi amullinë që kishte lënë pas pushtuesi osman por
edhe mbi kllapitë e shteteve ballkanike që ëndërronin të zgjeroheshin në truallin
e stërgjyshërve të shqiptarëve. Jeronim De Rada vdiq me 28 shkurt 1903 dhe nuk e pa
pavarësinë e Shqipërisë. Sot Shqipëria ekziston por shqiptarëve për të qenë të lumtur
u nevojitet prap të ëndërrojnë bukur e guximshëm si De Rada. Kujtojme
se Jeronim de Rada është poet, publicist, folklorist, filolog dhe mësues, themeluesi
i letërsisë dhe i kulturës arbëreshe. Lindi në Makia të Kalabrisë mësimet e para i
kreu në kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitër Koronës. Më 1834 shkoi për të studiuar
drejtësi në Napoli, ku mori pjesë gjallërisht në lëvizjen politike dhe kulturore të
kohës. Më 1848 nxori të parën gazetë shqiptare "L'Albanese d'Italia" , në të cilën
shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës. Pas dështimit të revolucionit më 1848
e mbylli gazetën dhe i zhgënjyer u tërhoq në fshatin e tij të lindjes der! në fillim
të viteve 60 të shek. XIX. Duke nisur nga v. 1861, në jetën e De Rada nisi një fazë
e re, kur ai shfaqet si një nga figurat më në zë te Rilindjes sonë Kombëtare. Pas
traktatit Parimet e estetikës (Principii di estetica, 1861) botoi veprat hashtësia
e kombit shqiptar (Antichità della nazione albanase, 1864) dhe Rapsodi të një poeme
arbëreshe (Rapsodie d'un poema albanese, 1866), që luajtën një rol të rëndësishëm
për propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare. Hyri në korrespondencë me patriotët
shqiptarë dhe me personalitetet kulturore evropiane, dashamirë të Shqipërisë, ndoqi
me interes të gjallë ngjarjet në Shqipëri. Më 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit
dhe ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar çështjes
kombëtare i dha me revistën Flamuri Arbrit , që botoi në vitet 1883-1885. Në Testamentin
politik (1902) shprehu optimizmin në të ardhmen e Shqipërisë dhe pakënaqësinë e tij
ndaj politikës imperialiste të Italisë ndaj atdheut të të parëve.
Zhvilloi
një veprimtari të frytshme edhe në fushën e studimeve gjuhësore; u kushtoi vemendje
çështjeve të prejardhjes së shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, duke mbrojtur lashtësinë
e tyre. De Rada është nga të parët studiues vendës të strukturës gramatikore të shqipes.
Në të dy veprat gramatikore që hartoi (1870, 1894) vuri në dukje aspekte të patheksuara
më parë nga dijetarë shqiptarë dhe albanologë dhe dukuri gjuhësore të pastudiuara
ose të panjohura. Në veprat e tij gjuhësore jepen të dhëna me interes për të folmet
arbëreshe. Bëri përpjekje të vijueshme për një alfabet të përbashkët të shqipes që
të jepte një sistem sa më të plotë dhe të përshtatshëm për shqipen me karaktere latine,
të plotësuara me shenja diakritike. Në veprimtarinë gjuhësore të De Rada duhet përmendur
edhe organizimi i dy kongreseve gjuhësore të shqipes, i pari (1895) në Koriliano Kalabro,
i dyti (1897) në Lungro ( Kongreset gjuhësore arbëreshe). Dha me vetmohim mësimin
e shqipes në Kolegjin arbëresh të Shën Mitër Koronës për dhjetëvjeçarë të tërë gjersa
vdiq.
E gjerë është edhe krijimtaria poetike e De Rada Nisi të botojë që herët
por krijimi që i solli famën si poet me talent të shquar është poema lirike-epike
Këngët e Milosaos (1836), vepra e parë e letërsisë sonë me vlera të mëdha artistike.
Në qendër të veprës është historia e një çifti të ri që bashkohet pas shumë pengesash.
Autori nuk kufizohet me dënimin e paragjykimeve klasore që pengonin lumturinë e të
rinjve; në vepër kumboi ideja e detyrës ndaj atdheut dhe e gatishmërisë për të luftuar
për mbrojtjen e tij. Historia e dashurisë fatkeqe midis dy të rinjve nga rrethet aristokratike
të Shqipërisë së shekullit XV është edhe në qendër të poemës Serafina Topia, mbi të
cilën poeti punoi në vitet 1839-1843. I pakënaqur nga puna e tij, De Rada këtë subjekt
e rimori në poemën Pasqgra e një jete njerëzore (1898) duke e zgjeruar dhe duke trajtuar
në të një problematikë më aktuale për kohën, luftën kundër pushtuesit otoman. Vepra
më e rëndësishme e De Radaës është Skënderbeu i pafan, të cilën e mbajti në duar një
kohë të gjatë (1837-1896). Në vepër janë shkrirë mjaft nga këngët dhe poemat që kishte
botuar më parë. Aty u shpreh në mënyrë më të plotë dhe më të qartë patosi kombëtar
që kishte frymëzuar veprën e De Radës Ndonëse nuk ka njësi veprimi dhe vazhdimësi,
poema jep një tablo të gjerë të Shqipërisë në shek. XV, të bëmat e lavdishme të popullit,
dashurinë e tij të flaktë për jetë të lirë dhe të pavarur, gjallërinë e mahnitshme
që shfaqi përballë sulmeve të egra të armiqve. Në qendër të veprës është konflikti
midis shqiptarëve dhe osmanëve, dhënë me anë skenash ku paraqiten beteja të ashpra
e të furishme, që shquhen nga ngjyresa e theksuar historike dhe imtësitë shprehëse.
Heroi kombëtar shfaqet në vepër si burrë shteti i shquar dhe trim i rrallë, që diti
me mençurinë dhe me heroizmin e tij të ngrejë popullin e vet né luftë çlirimtare të
pashoqe. Në karakteret e personazheve të tjera mishërohet heroizmi dhe trimëria e
shqiptarëve. Skënderbeu i pafan është kryevepra e De Radës në të u dukën në mënyrë
të qartë veçoritë kryesore të talentit të tij, si mjeshtër i tablove të gjera historike
dhe i përshkrimit me zotësi të botës së brendshme të heronjve, të mendimeve dhe të
ndjenjave më të thella e më të fshehta të njeriut. Si poet, sidomos në Këngët e Milosaos,
De Rada u çmua lart edhe nga rrethet letrare evropiane.
De Rada luajti një
rol të madh në historinë e letërsisë shqiptare; ai është i pari që shkroi vepra me
frymë kombëtare. Figura e tij ngrihet si figura më e kulluar dhe më e fuqishme e letërsisë
dhe e botës arbëreshe. Ndikimi i tij mbi shkrimtarët arbëreshë bashkëkohës ishte i
madh; tradita poetike krijuar prej tij vijon të jetojë e përtërirë edhe në letërsinë
e sotme arbëreshe. Pas Çlirimit në Shqipëri janë botuar të adoptuara veprat e tij
kryesore. Mban titullin "Mësues i Popullit" Luleve që valvit era
Fryu era e maleve dhe rrëzoi hijen e lisit: gjaku im mbetet lumit
t'Vodhit! Ushtarë, m'hapni shtatoren që të shoh edhe një herë Shkodren dhe
time motër te dritarja përkundruall. Më atje nuk do të zgjohem Luleve që
valvit era, posi valë që s'kanë mbarim Do të mblidhen shokët mbrëmjes brenda
vatrash në atdhe: Unë i lë si ëndërzë.