2009-02-27 14:58:52

Imzot Ravazi: interneti e informatika të humanizohen, sepse jeta është shumë më tepër nga ajo që shohim në ekran.


(27.2.2009 RV)RealAudioMP3 Agresiviteti i mesazheve që transmetojnë mjetet e komunikimit shoqëror, së cilave i nënshtrohesh pa mundur të bësh një lexim kritik të nevojshëm, mund të na çojë tek “lobotomia e shpirtit” – aty ku priten fijet e zemrës. Kjo kanosje e rrezikut u vu në dukje nga kryeipeshkvi imzot Xhanfrako Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor për Kulturën, i cili mori pjesë në takimin e organizuar nga Shoqata “Athanaeum”, pranë Universitetit të Romës “La Sapienza” me temën “Aftësitë e të gjykuarit e të dëshiruarit”. Ndikimi i mjeteve të informacionit mbi gjykimin e mbi zgjidhjet që mund të bëjnë njerëzit. Le ta ndjekim Imzot Ravazin në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: Tashmë të rinjtë janë përdorues të mëdhenj të rrjetit informatik; janë edhe konsumues të televizionit, të këtyre mjeteve pra, që po u japin trajtë identitetit dhe profilit të tyre. Në të vërtetë kjo rrugë kaq e thjeshtë, kaq e lehtë, paraqet rreziqe të mëdha, që janë vazhdimisht në pritë, e mbi të gjitha mbartin rrezikun kryesor që është humbja e ngrohtësisë që është ngrohtësi e dialogut ndërpersonal, do të thotë në dialog me të tjerët.

Pyetje: Imzot Rvazi, a është e mundur të ruhet aftësia e të gjykuarit dhe e të dëshiruarit, përballë mesazheve të mediave që duan t’i formojnë, t’u japin të rinjve trajtën sipas shëmbëlltyrës së vet?

Përgjigje: Nga ana e disa studiuesve është përdorur deri edhe shprehja “lobotomi e shpirtit”. Këto mjete informimi përpiqen të hapin disa hapësira brenda së cilave duan të vendosin njeriun, duke përjashtuar gjithçka nuk i përket planit të tyre, i cili në të shumtën e herëve është thjeshtë komercial.

Pyetje: Ky proces i zhvillimit të televizionit, të rrjetit informativ është i pakthyeshëm...

Përgjigje: Studiuesit e kësaj fushe thonë se nuk e kemi arritur ende përdorimin maksimal që kanë këto mjete, e këto mjete janë aftësi, shpeshherë, të një efikasiteti të madh për njerëzimin, por edhe të një rreziku të jashtëzakonshëm për vet njerëzimin. Le të mendojmë për shembull se çka do të jetë në të ardhmen “ndërveprimi”, ky dialog i cli është gjithnjë e më i ftohtë, e nuk është asnjëherë dialog në mënyrë të drejtpërdrejtë. Atëherë, pikërisht për këtë arsye, le të përpiqemi ende t’i sjellim të rinjtë tek burimi i vërtetë i jetë, sepse jeta është shumë më tepër nga ajo që shohim në një ekran.

Pyetje: Imzot Ravasi, ju mendoni se mund ta humbasim shijen e takimit të vërtetë, shijen e të vështruarit të njëri-tjetrit në sy, e të shtrënguarit të dorës...

Përgjigje: Ne po humbasin tri lloje takimesh të mundshme: i pari është ai përmes fletës së shkruar, të cilën e lexojmë duke e shfletuar, rikthehemi në qetësi për të lexuar e për t’u shoqëruar me tekste të mëdha e të famshme të së kaluarës. Ndërsa të lexosh një faqe interneti është krejt diçka tjetër: humbet sidomos takimin me tjetrin, e në fund të fundit humbet edhe takimin me heshtjen, çka do të thotë humbet thelbësorja e imazheve e të fjalëve, për të tentuar të zbulosh diçka tjetër që ekziston përtej fjalës e ngjarjes së thjesht informatike.

Pyetje: Duke humbur gjithë këtë, njeriu rrezikon të humbas edhe veten, në një farë kuptimi, apo përmasën e vet të bashkimit, të përkatësisë së një komuniteti?

Përgjigje: Njeriu në saje të natyrës së vet, është qenie e hapur, ka nevojë – sikur thotë Bibla – për një ndihmë që të jetë e ngjashme me të...e prandaj nëse ne ia heqim këtë aftësi të komunikimit e të bashkimit me tjetrin, pa dyshim do të kemi një njeri shumë më të varfër e ky relacion apo kjo marrëdhënie nuk sigurohet në mënyrë të mjaftueshme nga relacioni apo marrëdhënia informatike, e cila është gjithmonë e jashtme, e sipërfaqshme dhe e ftohët.. Fatbardhësisht, unë mendoj se një fjali e Paskalit të madh është e vërtetë, ai pat thënë: njeriu e tejkalon pambarimisht njeriun. E reduktojmë në një send, objekt, e bëjmë skllav nën diktatura të ndryshme, ai megjithatë, së fundi dashurohet në bukurinë e një peisazhi apo tenton të zbulojë madje edhe misterin e gjithësisë, të pafundësisë e të Hyjit.







All the contents on this site are copyrighted ©.