Më 26 shkurt përkujtojmë përvjetorin e lindjes së Vinçenc Dorsa
(26.2.2009 RV)Vinçenc Dorsa (1823-1885). Lindi në Frasnitë të Kozencës në Kalabri
më 26 shkurt 1823. U shkollua në kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër Korone e më
pas në kolegjin Urbanian të Propaganda Fides në Romë. Për shumë vjet qe mësues i greqishtes
dhe latinishtes në shkollën e mesme të Telesios në Kozencë. Vepra me të cilën nisi
të bëhej i njohur, është Su gli Albanesi, ricerche e pensieri, Napoli 1847 (Mbi shqiptarët,
hulumtime e mendime), kushtuar alla mia nazione divisa e dispersa ma una (kombit tim,
të ndarë e të shprishur, por një të vetëm). Me këtë vepër synoi, siç e thotë vetë
në parathënie, "të tërheqë vëmendjen e opinionit publik për mbrojtjen e të drejtave
të një kombi të shquar por të panjohur".Vepra përmban të dhëna të begata për prejardhjen
dhe historinë e shqiptarëve deri në kohën e Skënderbeut, për ngulimet shqiptare në
Italinë e jugut dhe për poezinë popullore, zakonet dhe letërsinë. Më pas Dorsa botoi
Studi etimologici della lingua albanese, Kozencë 1862 (Studime etimologjike për gjuhën
shqipe) dhe La tradizione greco-latina nei dialetti della Calabria citeriore, Kozencë
1876, 1884 (Tradita greko-latine në dialektet e Kalabrisë së Epërme). Të pabotuara
kanë mbetur veprat Discorso in lingua albanese, një traktat fetar i shkruar shqip
gjatë studimeve në Romë dhe dorëshkrimi i gjashtëdhjetepesë këngëve popullore arbëreshe
nga Kozenca, me titullin Canti popolari albanesi (Këngë popullore shqiptare). Dorsa
njihet edhe si përkthyes i Ungjillit të Shën Mateut, nga i cili ruhet një variant
kalabrez, i rishikuar nga Dhimitër Kamarda e i botuar në Londër më 1869 nga princi
Lyi-Lusië Bonaparti.