2009-02-25 19:06:35

Tri mjete të dobishme për të jetuar Kreshmët: lutja, lëmosha e agjërimi. Kështu Benedikti XVI gjatë kremtimit të riteve të së Mërkurës së Përhime.


(25.02.2009 RV)Sot, me të Mërkurën e Përhime, fillon për Kishën Katolike koha e Kreshmëve. Papa Benedikti XVI kremtoi pasdite në Bazilikën e Shën Sabinës në Romë, Meshën me ritin e bekimit e të përhimjes, e cila u parapri nga procesioni pendestar, nga kisha e Shën Anselmit.
Kreshmët sipas këndvështrimit të Shën Palit Apostull: ky ishte filli, që përshkoi homelinë e Papës, i cili i ftoi besimtarët ta shfrytëzojnë këtë kohë të shenjtë për t’u kthyer në rrugën e Zotit:
“Premtimi i Hyjit është i qartë: nëse populli do ta dëgjojë ftesën për t’u kthyer, Zoti do të ketë mëshirë e miqtë e tij do të mbushen me favore të panumërta”.
Papa theksoi se hapi i parë drejt udhës së Zotit është Pagëzimi, por kjo nuk mjafton. Duke kujtuar Shën Palin Apostull, Benedikti XVI sqaroi se shenjti, që më parë ishte persekutues i të krishterëve, e kupton më vonë se kthimi në rrugën e Damaskut e gjithçka në të është vepër e Hirit Hyjnor, por nuk harron se çdo person duhet të marrë pjesë lirisht në jetën e re, që e ka fituar me anë të Pagëzimit. Për këtë, duhet të lirohet vazhdimisht nga mëkatet, siç shkruan apostulli në Letrën drejtuar Romakëve. Është një program i vërtetë për Kreshmët, pohoi Papa Racinger:
“Nga njëra anë, pohohet fitorja e Krishtit mbi mëkatin, arritur një herë e përgjithmonë me vdekjen e ngjalljen e Tij; nga ana tjetër, shtyhemi të mos i ofrojmë mëkatit gjymtyrët, pra, të mos i japim, nëse mund të themi kështu, hapësirë shpagimi mëkatit”.
Por si mund ta realizojmë thirrjen e Pagëzimit, si mund të dalim fitimtarë në luftën ndërmjet korpit e shpirtit, ndërmjet së mirës e së keqes, luftë që shënon ekzistencën tonë? Në Ungjillin e sotëm, vërejti Papa, Zoti na jep tri mjete të dobishme: lutjen, lëmoshën e agjërimin. Më pas, Ati i Shenjtë vuri në dukje se sa të rëndësishme kanë qenë këto tri mjete për Shën Palin Apostull e sa duhet të jenë për çdo besimtar në përgatitjen për Pashkët. Që këtu, detyra për të mos jetuar vetëm me bukë, tha Papa, duke perifrazuar fjalët e Jezu Krishtit në shkretëtirë, në të parin nga tri tundimet:
“Ja pra, thirrja e të krishterëve: të ringjallur në Krishtin, ata kanë kaluar përmes vdekjes e tashmë jeta e tyre është e fshehur me Krishtin në Zotin. Për ta jetuar këtë ekzistencë “të re” në Zotin është e domosdoshme të ushqehen me Fjalën e Zotit”
E përsëri shembulli i Shën Palit, për të cilin mendimi, veprimi, lutja, teologjia, predikimi ishin të gjitha, fryt i Fjalës së Hyjit. E me këto fjalë, Papa Benedikti XVI përfundoi homelinë e mbajtur sot në Meshën e së Mërkurës së Përhime, në Kishën e Shën Sabinës në Romë:
“…ndërsa përgatitemi për t’u përhitur në shenjë kthimi e pendese, t’ia hapim zemrën veprimit rigjallërues të Fjalës së Zotit. Kreshmët, të karakterizuara nga dëgjimi më i shpeshtë i kësaj Fjale, nga lutja më intensive, nga një mënyrë jetese më e rreptë e pendestare, të na shtyjnë drejt kthimit e dashurisë së sinqertë për vëllezërit, sidomos për të varfërit e nevojtarët”.







All the contents on this site are copyrighted ©.