2009-02-25 19:05:53

Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës:Nënë Terza duhet të çmohet nga të gjithë e distancohet nga myftiu Krasniqi


(25.2.2009 RV)Angazhimi dhe sakrifica e Nënë Terezës duhet të çmohet nga të gjithë . Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës, në një mbledhje të kryesuar nga myftiu Naim Tërnava, ka shqyrtuar edhe kualifikimet e dr. Shefqet Krasniqit për humanisten tonë, Nënën Terezë. Me këtë rast, Kryesia e BI (Bashkësisë Isalme) distancohet publikisht nga kualifikimet e imam Krasniqit, për çka edhe është thirrur në përgjegjësi. Kryesia e BI-së kupton interpretimin doktrinar të teologëve të feve të ndryshme, mirëpo ajo kërkon që të ruajnë etikën dhe t'u përmbahen parimeve hyjnore në ligjërimet e tyre duke u angazhuar për paqe, tolerance e dashuri e jo për urrejtje e ofendime, si dhe të respektohen njerëzit dhe objektet e kultit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare, thuhet në një komunikatë të BIK. "Ne si popull jemi të njohur për kultivimin e tolerancës e mirëkuptim ndërfetarë, vlerë kjo që është leva më pozitive e populli tonë. Kualifikimet e imamit Krasniqi, ne i konsiderojmë si rast të izoluar dhe kërkojmë nga të gjithë që të mos i fryjnë këtij rasti që nuk i bën nder askujt. Për më tepër, parimet islame çmojnë lartë punën, angazhimin, sakrificën, solidaritetin, humanitetin dhe kontributin e të gjithë atyre që përpiqen për të mirën e përgjithshme të njerëzimit, pa dallim feje, kombësie, race e gjuhe. Mësimet islame madje, në veçanti urdhërojnë për respektimin e prijësve dhe shërbyesve fetarë, të cilës feje qofshin ata. Kryesia e BI së çmon lartë kontributin e humanistes shqiptare Nëna Terezë, aq më tepër, kur ajo ka një reputacion ndërkombëtar të cilin e ka arritur në saje të humanitetit dhe vlerave fetare të nxjerr nga librat e shenjtë", theksohet në komunikatë. "Angazhimi dhe sakrifica e Gonxhe Bojaxhiut duhet të çmohet nga të gjithë dhe jo të fyhet nderi e dinjiteti i saj. Nëse me Gonxhe Bojaxhiun na dallon feja, është përkatësia jonë e përbashkët kombëtare ajo që na bashkon dhe na bën që ne të respektojmë dhe ta mbrojmë personalitetin dhe veprën e saj", theksohet në fund të komunikatës të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës. Kryesia e BI të Kosovës dënon edhe sulmin ndaj imamit Ejup Kransiqi, duke e cilësuar si një akt kriminal i kryer nga njerëz të lig të cilët imamit i kanë kurdisur kurth me gjoja ftesën për të marrë pjesë në një ceremoni fetare. I vetmi institucion legal e legjitim që merret me organizimin, zhvillimin dhe mbikëqyrjen e jetës fetare islame në Kosovë është Bashkësia Islame e Kosovës dhe institucionet e saja kompetente. Tentimi për t'u përzier në punët dhe kompetencat e BI së është i papranueshëm, madje po aq i papranueshëm është edhe dhënia e fetfave nga njerëz të ndryshëm që nuk kanë as dijen e duhur e as legjitimitete e këtij populli. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës dënon edhe njëherë fuqishëm rastin e sulmit nga Ejup Kransiqit dhe kërkon nga organet e ndjekjes që sa më parë të gjejë autorët e kësaj vepre kriminele e t’i nxjerre para drejtësisë. Dhuna, shantazhi dhe atakimi i bartësve të funksioneve të BI së është atak edhe mbi shoqërinë kosovare dhe sulm i drejtpërdrejtë në institucionet e BI së. Andaj edhe njëherë kërkojmë që autorët e këtyre veprave të shëmtuar të zbulohen sa më parë, thuhet në një deklaratë të Bashkësisë Islame të Kosovës.







All the contents on this site are copyrighted ©.