2009-02-25 18:58:24

Ipeshkvia e Kosovës dënon deklaratën fyese të imamit të Prishtinës ndaj figurës së shenjtë e të madhe të së Lumes Nënë Terezë.


(25.2.2009 RV)Ipeshkvia katolike e Kosovës dënon deklaratën fyese të imamit të Prishtinës ndaj figurës së shenjtë e të madhe të së Lumes Nënë Terezë, ndërsa Bashkësia Islame e Kosovës distancohet publikisht nga imam Krasniqi e pohon se Nënë Tereza duhet të çmohet nga të gjithë. Pra, Ipeshkvia e Kosovës përmes një komunikate për shtyp, reagon lidhur me deklaratat fyese të imamit të Prishtinës, Shefqet Krasniqi për Nënën Terezën. Ipeshkvia katolike e Kosovës shpreh shqetësimet për guximin paskrupullt të imamit që ka fyer rëndë figurën më të ndritur të Kombit tonë Shqiptar, të Lumen Nënë Terezë. Aq më tepër na trishton fakti – shkruhet në deklaratë - kur një gjë e tillë vjen nga shërbëtorët e Zotit, që provojnë të përbuzin gjithçka që nuk i përket fesë së tyre, pohime që kanë qëllime të këqija e mbjellin përçarje ndërmjet vëllezërve.
E Lumja Nënë Terezë – pohon zyra ipeshkvnore katolike e Kosovës – që njihet e nderohet në mbarë botën, na mësoi me jetë e vepra të respektojmë, të duam e ta ndihmojmë e afrojmë të afërmin pa kurrfarë dallimi race, feje e çfarëdo përkatësie qoftë. Prandaj, bindjet personale apo të një bashkësie tjetër fetare, si dhe dallimet që karakterizojnë ato, nuk duhet të jenë elemente fyese ndaj tjetrit, por fakte që kontribuojnë në kultivimin e vlerës shpirtërore të një shoqërie vëllazërore. Bazuar në këtë fakt, duhet të jemi bartës të paqes e shpallës të denjë të Fjalës së Zotit.
Në anën tjetër, - shkruhet në deklaratën e Ipeshkvisë së Kosovës - vlerësojmë distancimin e Myftiut Naim Tërnava nga ky rast, si dhe thirrjen në përgjegjësi të imamit të papërgjegjshëm, me shpresë se gjëra të tilla nuk do të përsëriten. Ne e sigurojmë Kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës, për gatishmërinë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm, duke u bazuar në tolerancën fetare dhe vlerat e ndërsjella për mirëqenien në paqe të shoqërisë sonë, mbi të gjitha bazuar në të Vërtetën dhe Dashurinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.