Nesër follojnë Kreshmët, udhë drejt Zotit e të afërmit
(24.2.2009 RV)Nesër, me të Mërkurën
e Përhime fillon periudha e Kreshmëve, një udhë shpirtërore drejt Zotit e të afërmit.
Pra me liturgjinë e ritit të Mërkurës së Përhime, për Kishën katolike fillon periudha
e lutjes, kundrimit të Fjalës së Zotit, agjërimit e pendesës. Në mesazhin dërguar
besimtarëve për 40 ditët që paraprijnë solemnitetin e Ngjalljes së Jezu Krishtit,
Papa Benedikti XVI reflekton mbi kuptimin e zgjedhjes së abstenimit nga ushqimi si
“një ‘terapi’ për shpirtin”.Pra, me riti simbolik të përhimjes e me fjalët përkatëse
që shoqërojnë liturgjinë kishtare të së Mërkurës së Përhime, hyjmë në Kohën kishtare
të Kreshmëve. Riti i përhimjes na kujton qortimin e Joelit Profet, sipas të cilit
gjesteve të jashtme, karakteristike për periudhën e Kreshmëve, duket t’i përgjigjet
çiltërsia e shpirtit dhe koherenca e veprave. E riti i përhimjes shprehet përmes
formulës “Pendohuni e besoni në Ungjill”, ose “Kujtohu se je hi e në hi do të kthehesh!”.
Pikërisht për shkak të pasurisë së simboleve e të teksteve biblike dhe liturgjike,
e Mërkura e Përhime me të drejtë quhet ‘porta e Kreshmëve”. E liturgjia na fton
në një ripërtëritje të vërtetë shpirtëror, sepse ç’vlerë ka të ndash me të tjerët,
posaçërisht me të varfërit të mirat materiale, kur zemra mbetet larg nga Zoti, do
të thotë nga e mira e drejtësia? Ajo që ka vlerë të vërtetë, është të kthehesh tek
Zoti me shpirt të penduar, për të fituar kështu mëshirën e Tij Hyjnore. Një
shpirt të ri e një zemër të re – këtë gjatë Kreshmëve kërkojnë besimtarët me fjalët
e Psalmit pendestar ‘Miserere’ , ‘Mëshirë’– duke u lutur: “Na fal, o Zot, kemi mëkatuar!”.
Besimtari i vërtetë, i vetëdijshëm se është mëkatar para Zotit, dëshiron me gjithë
vetveten – shpirt, zemër e trup – të meritojë mëshirën hyjnore që e bën krijesë të
re dhe i kthen gëzimin e shpresën. Një aspekt tjetër i përshpirtërisë së kohës
së Kreshmëve, është ai që na kujton armët e pendesës e të betejës kundër shpirtit
të së keqes. Çdo ditë, e posaçërisht në Kohën e Kreshmëve, i krishteri duhet të përballojë
një luftë, si ajo që përballoi Krishtit në shkretëtirën e Judesë, ku për 40 ditë u
tundua nga djalli; e pastaj në Gjetsemani, kur e mundi tundimin e mbramë, duke bërë
deri në fund të fundit vullnetin e Atit Qiellor. Është një betejë shpirtërore, betejë
kundër mëkatit e kundër shejtanit, zanafillë e shkak i çdo lloj mëkati. Prej këndej
besimtarët duhet të jenë vigjilentë e t’u kushtojnë vëmendje jo vetëm mëkateve të
rënda e mortare, por edhe mëkateve më pak të rënda të cilat, në se nuk përfillen,
mund të sjellin vdekjen. Kreshmët na kujtojnë se jeta e krishterë është betejë
e pafund. Për ta përballuar, duhet të ngjeshim armët e lutjes, të agjërimit e të pendesës
e të ecim gjurmëve të Jezusit. Ndjekja e Krishtit i bën të krishterët dëshmitarë
e apostuj të paqes, i ndihmon të kuptojnë më mirë se cila duhet të jetë përgjigja
e krishterë ndaj dhunës që kërcënon paqen në familje e në botë. Sigurisht nuk është
hakmarrja, nuk është urrejtja as ikja drejt një përshpirtërie të rreme. Përgjigja
e atij që ndjek Krishtin është të ecën në rrugën e zgjedhur nga Ai që, përballë të
këqijave të kohës së vet e të të gjitha kohërave, zgjodhi vendosmërisht Udhën e Kryqit,
duke ndjekur shtegun më të gjatë, udhën më të dhimbshme por më të frytshëm të dashurisë.
Në gjurmët e Jezusit e të bashkuar me Të, të gjithë duhet të impenjohemi që t’i kundërvihemi
së keqes me të mirën, gënjeshtrës – me të vërtetën; urrejtjes, me dashurinë”. “Dashuria
e Krishtit na nxit” (2 Kor 5, 14) - thotë Shën Palit, duke na kujtuar se në Jezusin,
vetë Zoti na dhuroi vetveten deri në vdekje, gjë që duhet të na shtyjë të mos jetojmë
më për vetveten, por për Krishtin e me Të, për të tjerët”. E dashuria duhet të
shprehet pastaj në gjeste konkrete në ndihmë të të afërmit, e sidomos të më të varfërve
e më nevojtarëve, duke pasur gjithnjë parasysh se Ati, që është në qiell, shikon edhe
në fshehtësi e i shpërblen të gjithë ata që bëjnë mirë në heshtje, përvujtërisht e
pa kurrfarë interesi. Konkretizimi i dashurisë është një nga elementet themelore të
jetës të të krishterëve, të cilët inkurajohen nga Jezusi të jenë dritë e botës, që
njerëzit, duke parë veprat e mira, ta lëvdojnë Atin që është në qiell. Në kohën e
Kreshmëve dëgjojmë si rijehon ftesa për t’u kthyer në rrugën e Zotit e për t’i besuar
Ungjillit – gjë që na nxit t’ia hapim gjithnjë shpirtin fuqisë së hirit hyjnor. Kështu,
të gjallëruar nga impenjimi i fortë i lutjes, të vendosur për t’iu kushtuar më shumë
pendesës, agjërimit e vëmendjes ndaj vëllezërve e nevojtarëve, të ecim drejt Pashkëve,
në shoqërinë e Virgjërës Mari, Nënës së Kishës e modelit të çdo nxënësi të vërtetë
të Krishtit. Kështu pra, në Romë e në të gjitha kishat katolike të botës, nesër me
të Mërkurën e Përhime nis koha e përgatitjes për Pashkë. Kisha na fton kryesisht
të rikthejmë tek Zoti. E kthimi ka shkallë të ndryshme, që fillojnë me përpjekjen
për ta dashur më shumë Zotin e vijon me pendesën për mëkatet tona, me dashurinë për
të afërmin në botën e sotme, në të cilën flitet kaq shumë për tensione, kriza të llojllojshme,
gjakmarrje, urrejtje, dhunë. Kreshmët na bëjnë thirrje për pajtim, për pendesë, për
falje, për mirëkuptim e ngadhënjim mbi të keqën e mëkatin. Kjo është rruga e Jezusit,
që na çon drejt dashurisë, drejt drejtësisë, drejt vëllazërimit, me pak fjalë drejt
Pashkëve të ngjalljes!