2009-02-24 15:22:16

Ati i Shenjtë Benedikti XVI uron që fetë të ndihmojnë për paqën dhe dialogun.


(24.02.2009 RV)Benedikti XVI uron që Lindja e Mesme të bëhet “një tokë dialogu dhe bashkëpunimi vëllazëror, respekti të ndërsjellë dhe paqeje, falë kontributit të përgjegjshëm të të gjithë banorëve që jetojnë aty.” Ky urim e këto shpresa të Papës gjetën shprehje në letrën që Sekretari i Shtetit Tarçizio Bertone u dërgoi pjesëmarrësve në Ditën e Studimeve dhe të reflektimit me titull “Vlera e Kishave të krishtera në Lindje të Mesme – të krishterët dhe myslimanët diskutojnë së bashku”, promovuar nga Bashkësia e Shën Egjidit që u zhvillua sot në Romë. “Është një temë – thuhet në letrën e kard. Bertones – me rëndësi të qartë shoqërore dhe fetare.”

Takimi që përbën një hap të mëtejshëm në dialogun e dobishëm ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve për tema me interes të ndërsjellë, përpiqet të shqyrtojë atë që është thelbësore: praninë e bashkësive të vogla të krishtera në zona e krahina ku shumica është myslimane. Qëllimi i këtij takimi është të vihet në pah se prania e të krishterëve në Lindje të Mesme është një pasuri e vërtetë për mbarë shoqërinë dhe garanci për zhvillimin shoqëror, kulturor dhe fetar.

Në letër Sekretari i shtetit të Vatikanit kard. Tarçizio Bertone u përcolli organizatorëve dhe pjesëmarrësve të këtij takimi ndjenjat e respektit dhe të miqësisë të Atit të Shenjtë Benediktit XVI, i cili “lutet që bekimi hyjnor të zbresë mbi këtë mbledhje të rëndësishme dhe uron me gjithë zemër që prej saj të dalin elementë të dobishëm për ta bërë gjithnjë e më vëllazëror dialogun ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve, veçanërisht në zonat ku bashkësitë e krishtera janë pakicë.” Gjithnjë në lidhje me këto tema, në letrën e vet kardinali Tarçizio Bertone kujtoi fjalimin e Benediktit XVI mbajtur përpara përfaqësuesve myslimanë në Këln në gusht të 2005-ës dhe takimin e tij të 6 nëntorit 2008 me pjesëmarrësit në forumin katoliko-mysliman promovuar nga Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar.







All the contents on this site are copyrighted ©.