2009-02-23 16:19:57

Fjalët e Papës gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot


(23.2.2009 RV)RealAudioMP3 Jezusi që përkulet mbi ligështinë njerëzore dhe festa e Katedrës së Shën Pjetrit ishin dje në qendër të reflektimit të Papës gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Jezusi ka pushtet jo vetëm për të shëruar trupin e sëmurë, por edhe për të falur mëkatet: kështu tha Benedikti XVI duke komentuar pjesën e Ungjillit që propozoi dje liturgjia, atë mbi shembëlltyrën e të paralizuarit të falur e të shëruar nga Krishti. Më tutje, dje në festën e Katedrës së Shën Pjetrit, Papa ripohoi vlerën e Primatit të Pjetrit në Kishë, duke kërkuar lutjen e besimtarëve për këtë “detyrë të lartë” që ka pasardhësi i shën Pjetrit apostull. Festa e Katedrës së Shën Pjetrit “simbolizon autoritetin e ipeshkvit të Romës, i thirrur për një shërbim të veçantë ndaj tërë Popullit të Zotit”. Menjëherë pas martirizimit të Shën Pjetrit e Palit, kujtoi Papa, Kishës së Romës iu njoh roli i parisë në mbarë bashkësinë katolike, rol që vërtetohet e pohohet qysh në shekullin II nga Shën Injaci i Antiokisë e nga Shën Ireneu i Lionit.
Ky shërbim i veçantë e i posaçëm i Ipeshkvit të Romës është ripohuar nga Koncili II i Vatikanit. “Në bashkimin kishtar, -lexojmë në Kushtetutën dogmatike mbi Kishën – me të drejtë, pra ligjërisht ekzistojnë edhe Kisha të veçanta, të cilat kanë tradita të veta, ndërsa primati i Katedrës së Pjetrit mbetet i paprekur, kryeson tërë Kishën në bashkimin universal të dashurisë (krh Shën Inj. Ant., Ad Rom., Pref.), mbron pluralizmin e ligjshëm kishtar, e njëkohësisht mbikqyr tiparet e veçanta të Kishave lokale, që të mos jenë në dëm të bashkimit, por përkundrazi, madje t’i shërbejnë këtij qëllimi” (Lumen gentium,13).”
E pastaj Benedikti XVI kërkoi mbështetjen e besimtarëve, përmes uratës:
Kjo festë e Katedrës së Shën Pjetrit, më jep rastin për t’ju kërkuar të më shoqëroni me lutje, në mënyrë që të mund ta kryej besnikërisht detyrën e lartë që Provania Hyjnore më ka besuar, si Pasardhës i shën Pjetrit apostull”.
Në vazhdim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë Racinger kërkoi ndërmjetësimin e Virgjërës Mari e përmendi kohën e Kreshmëve, e cila fillon pasnesër.
T’i lutemi për këtë Virgjërës Mari, të cilën dje këtu, në Romë, e kremtuam me titullin e bukur Zoja e Besimit. Asaj t’i kërkojmë të na ndihmojë të hyjmë me gatishmërinë e përgatitjen e duhur të shpirtit në kohën e Kreshmëve, të cilat fillojnë të mërkurën e ardhshme me Ritin sugjestionues të Përhimjes. Maria na haptë zemrën për kthimin tek Zoti dhe për dëgjimin e vëmendshëm të Fjalës së Hyjit”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa përshëndeti shtegtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan në gjuhë të ndryshme. Në gjuhën franceze, inkurajimi i Benediktit XVI për të menduar në Jezusin, që “na dhuron një zemër të aftë për të dashur e për të falur dhe na liron prej paralizimeve e dyshimeve tona”; në gjuhën gjermane, reflektimi mbi Katedrën e Shën Pjetrit; në gjuhën spanjolle reflektimi mbi Kreshmët; në gjuhën polake një thirrje për ta shikuar kohën e pendesës kreshmore me shpresë; në gjuhën angleze, inkurajimi që të mos hezitojmë t’i kërkojmë falje Zotit, në mënyrë të posaçme përmes sakramentit të Pajtimit, për ta përjetuar kështu mëshirën që Zoti ka ndaj zemrave të penduara.







All the contents on this site are copyrighted ©.