2009-02-22 17:39:00

Imzot Zef Simoni ndërroi jetë në Shkodër


(22.2.2009 RV) Më 21 shkurt në moshën 81 vjeçare, ipeshkvi shqiptar imzot Zef Simoni, ndërroi jetë në qytetin e tij të dashur, Shkodër. I lindur në Shkodër më 1 dhjetor 1928, pati një jetë të ngarkuar me ngjarje sa të trishtuara, aq edhe të gëzueshme. Kryedioqeza e Shkodrës, Kisha katolike e Shqipërisë dhe bota e kulturës shqiptare humbën një meshtar, ipeshkëv, dëshmitar të kalvarit që populli shqiptar pësoi gjatë periudhës së tmerrshme të regjimit komunist dhe shkrimtar të pasionuar.
Siç thamë jeta e Imzot Zef Simoni qe e ngarkuar me ngjarje të trishtuara, sepse ishte bir i një familjeje të varfër, sepse iu desh të bënte shumë flijime për të kryer studimet, e aq më tepër, për t’u shuguruar meshtar në kushtet e diktaturës, më 9 shkurt 1961. E menjëherë pasi u ngjit në elter, iu desh të ngjitej edhe në Kalvar i ngarkuar me Kryqin e Krishtit. Bëri shumë vjet burg e, pikërisht në qelitë e shtetit ateist, pa letër pa laps, nisi krijimet e tij të para, të regjistruara e të ruajtura në arkivin e trurit. Këto vepra i hodhi në letër e i botoi vetëm pasi doli nga burgu e, bashkë me lirinë, pati gëzimin e rrallë e të papërshkrueshëm të shugurohej ipeshkëv në Shkodër, nga vetë Papa Gjon Pali II, më 25 prill 1993. Filloi kështu misionin ipeshkvnor si ipeshkëv-ndihmës i kryedioqezës së Shkodrës.
Imzot Zef Simoni u kthye në shtëpinë e Atit Qiellor të shtunën më 21 shkurt, pas një bilanci tepër të pasur ngjarjesh, veprimtarish, shtegtimesh, veprash, nga të cilat po kujtojmë botimin më të ri: “Letërsia e pame ndryshe”. Të pasura, edhe mesazhet që prelati shqiptar u përcolli besmitarëve nga Elteri i Zotit e po kështu edhe nga mikrofoni i Radio Vatikanit, që para se të shugurohej ipeshkëv nga Papa Gjon Pali II më 25 prill 1993 në Kishën Katedrale të Shkodrës e deri në muaj e fundit të jetës së tij. Kujtojmë se Imzot Zef Simoni ishte edhe përfaqësuesi i parë i Kishës shqiptare në një ngjarje të madhe kishtare siç qe Sinodi i Ipeshkvijve për Evropën Lindore, që u mbajt në Vatikan më 28 nëntor 1991, e më pas në shumë ngjarje të tjera të rëndësishme kishtare. Duke shfletuar arkivin tonë, zgjodhëm për këtë rast një nga intervistat e shumta që kemi marrë prej Imzot Zef Simonit. Ja edhe porosia e tij nga intervista e realizuar me 2001 në Radio Vatikan me rastin e vizitës Ad Limina të ipeshkvijve të Shqipërisë në Vatikan.....RealAudioMP3 .

Mbi veprën "Letërsia e pame ndryshe" të autorit Zef Simoni, Ipeshkëv.nga Anton Çefa.
Ky libër, që i paraqitet lexuesit nga Monsinior Zef Simoni, - "Letërsia e pame ndryshe" - pa synue për të qenë një monografi kritike analitike, e hollësishme e gjithpërfshise e letërsisë sonë, ravijëzon në një vështrim panoramik personalitetet e letrave tona, përbasit ma të qenësishëm të veprave letrare, kumteve të tyne, duke ndërthurë aty-këtu edhe shpjegime për çashtje të ndryshme teorike të artit, qenësisë së tij, marrëdhënieve të tij me realitetet shoqnore; kryesisht, me religjionin dhe moralin.
E shkrueme me dorën e një shqetësimi të vetëdijshëm, të thellë e nevralgjik ndaj ndikimeve të përmbajtjeve e mesazheve letrare negative dhe vlerësimeve të gabueme a të ndergjegjshme e të qellimshme të kritikës letrare në të kaluemen, dhe me përkushtimin human të një prifti ndaj misionit të vet, që asht qiellor pikërisht sepse asht i lidhun ngusht me tokën e hallet e saj, vepra godet pa mëshirë "mëkatet", tue shtrue nevojën e "pendesës" dhe katarsit.
Bukuritë e artit letrar dhe vlerat e tij estetike, njohëse e edukative vihen në peshojën e një kriteri të vetëm kategorik: moralit të veprës letrare.
"Artet, letërsia janë vepër e shpirtit, që i jep frymë religjioni. Religjioni nuk asht art, por vertëtësi e mbinatyrshme prej kah vjen edhe fuqia e virtyteve dhe e frymëzimit". E shprehun ndryshe në këtë vepër, lëtërsia trajtohet nga pozitat e një besimtari; ma tej, të një besimtari katolik dhe ma përtej, të një prifti, bile të një ipeshkvi, dhe, njëkohësisht, edhe të një letrari e kritiku, që i njeh letërsisë një mision të naltë edukativ, moral, estetik, dhe patriotik.
Diktue nga qëllimi i trajtimit të landës dhe nga kriteri i këtij trajtimi, vepra fiton një fizionomi strukture të veten, origjinale. Jepen vlerat ma spikatëse për shkrimtarët, përgjithësisht, pa u futë në analiza të plota veprash, krtikohen pikëpamjet dhe mesazhet, që kanë sjellë ndikime negative në formimin e lexuesve. Shkrimet kundër besimit, kundër Zotit "në vend që të sjellin përparim, bijnë regres, në vend të shpëtimit disfatën, në vend të lirisë terrorin, të qetësisë shpirtnore vrasjen shpirtnore e në vend të rendit anarkinë".
Kështu, tehut të ashpër të kritikës nuk i kanë shpëtue as kulmet e letërsisë sonë aq të vlerësuem në studimet e deritashme, si Naimi, Noli, Konica, Koliqi, etj. Damtimet në moralin e veprës letrare - argumenton autori - kanë rrjedhë nga ndikimet filozofike, sociologjike e politike të doktrinave, që bien ndesh me moralin fetar, e damtojnë apo e mohojnë atë. Në mënyrë të veçantë, janë kritikuar ndikimet nga deizmi, panteizmi, iluminizmi në fillim dhe që kanë përfundue tek pozitivizmi e materializmi. Deizmi dënohet si rrugë që futë mësimin dhe idenë se Perendia nuk ka asnjë lidhje me botën. Simbas kësaj doktrine, Zoti asht vetëm një spektator e njerëzimi ka punën e vet ndër të mira e ndër të këqija. Në vijë të këtij gjykimi, autori shtron pyetjen: "Çka kishin me na u dashtë ne lidhjet me njeni - tjetrin, po të mungojshin lidhjet me Zotin e të Zotit me ne?"
Mësimet e ilumistave me idetë e tyne çuan tek pozitivizmi i August Compte-s, "një teori reaksionare me ide të kufizueme, që do të përjashtojshin me përbuzje të mbinatyrshmen". Kritikohet deizmi i Samiut dhe panteizmi i Naimit që "e ban të njajtë Zotin me materien", tue i hapë rrugën materializmit dhe darvinizmit ekstrem. Shumë ashpër kritikohet Çajupi, që përveç se asht "shkrimtar i sa shkrimeve atdhetare e vjershave të bukura", asht kundërshtar i besimit dhe antiklerikal. Me anën e një pyetjeje retotike të fuqishme, autori i drejtohet lexuesit: "A me këso idesh do të mbëkambet Shqipënia?! Cila kishte për të kenë detyra jonë të dojë e të çmojë për hir të disa rreshtave të mirë e letrarë persona që nuk duen të njohin Zotin e ta luftojnë?"
Mbasi jepen vlerësimet ma të nalta për Nolin "fjala e të cilit asht e madhnueshme si poezi ashtu edhe në prozën përshkruese, tregimtare e parashtruese, me fuqi burrnore e heroike" dhe që cilësohet si "bomba historike nëpër terrenet mbretnore të monarkisë sulltanore", që në poezitë e tij "jepte një strukturë zemrake të politikës shqiptare me një shpirt demokratik të vendosun", Noli kritikohet për përkthimet nga Shekspiri, sidomos për Hamletin, ku predikohet hakmarrja, për përkthimin e Ibsenit e të Hauptmanit me burime devijimesh e të sa mendimeve damtuese.
Autorë si Koliqi, Konica, rishtas Noli, kritikohen, për licensiozitet; Konica për stilin fyes plot shamje e fjalë të ndyta. Vihet në dukje e argumentohet fakti që duhet të shahet e të urrehet e keqja e jo i keqi, njeriu. Noli kritikohet për "Rubairat" dhe Koliqi për "Shija e bukës mbrume", "ku ka landë që prishin një popull, tue rritë një rini të prirun kah instinkte".
Ma ashpër se të gjithë shkrimtarët kritikohet Migjeni "si përkrahës i një bote të pa Zot e i një shoqnije pa religjion". Migjeni, "figura e sëmunrë e anti-Krishtit në letërsinë tonë", sado që qe një artist i madh origjinal, "me proza e poezi të dhimbshme që futën në thellësi të fatkeqësive, të mjerimeve tona, por tue çue kah protesta të rrezikshme, pse për idetë që paraqet autori, damet i sjell të mëdha, me landë kryesisht pa Zot e mbushë me urejtje kundër klerit katolik. Ka shkrue me urrejtje kundër motrave, që i kanë sjellë aq e aq të mira të sëmurëve e të vorfënve. Mjafton me përmendë Nanë Terezen me urdhnat që ka krijue ajo dhe pa lanë mbanesh edhe murgeshat e spitalit Torre Pelice, që u kujdesën me dashtëni e sakrificë për poetin e sëmundë. Me këto ide, ai do t'i bante shërbim komunizmit, i cili "do të luftonte e do të punonte pa asnjë lavdi për të shërue plagët e botës, mbushë me vorfni e shtypje, por që askush nuk do t'ia shtonte ma randë, ma idhtë, me persekutim të rafinuem e të parafinuem të vobektëve, të shtypunve e të drejtëve mjerimet me të gjitha format, për t'u quejtë me të vërtetë komunizëm tanësisht mbrapshti e rrenim". Simbas teologjisë e moralit kristian të këqijat e vuajtjet e njerëzimit shërohen me ndimën e Krijuesit.
"Letërsia e pame ndryshe2 nuk përfill rrymat letrare: "nuk kemi pasë rryma të zhvillueme letrare si letërsitë e mëdha të kombeve tjera", "kemi copa rrymash"; por i njeh letërsisë sonë vetëm një rrymë: atë të realizmit socialist, e cila - si letërsi e mbështetun në skajin ma negativ të filozofisë, në materializmin dialektik e historik dhe në ideologjinë marksiste-leniniste, pjellë e tij, - nuk pasqyron të vërtetën, por e shtrembnon atë. "Në kjoftë se një vepër nuk ka vërtetësi rranjësisht, qëndron gënjeshtra e, ma tepër se gënjeshtra, dhuna e përzieme me atë, mungon baza e artit, esenca e tij." - thotë autori.
"Veprat e realizmit socialist ngrihen kundër pronës private, kundër religjionit, kundër jetës njerëzore, familjare, shoqnore, intelektuale, me diktaturën e egër të luftës së klasave." Prandaj, për hir të talentit, për hir të mjeshtërisë artistike "nuk duhen vlerësue kurrë veprat e përmbajtjes helmuese".
Kështu kritikohen Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Jakov Xoxe, Dhimitër Shuteriqi, etj. Permendën si disidentë Trebeshina e Xhaferi; vlerësohet nalt Camaj, me atributin "fuqia e pendës", i cili në romanin "Rrathët" ka paraqitë "individin në një shoqëni totalitare, që kalon në tre rrathë: rrathë uji, rrathë zjarri e rrathë gjaku"...
Trajtohen ma ndej një grup shkrimtarësh klerikë mbas diktaturës, si Dom Nikollë Mazreku, Dom Jak Zekaj, At Zef Pllumi, Mons. Frano Illia, Dom Zef Simoni, që vuejten burgjet komuniste, por nuk u përkulen dhe i qendruen besnikë besimit dhe atdheut dhe vertetësisë së artit.
Gjithashtu çeken shkrimtarët e burgosun: Musine Kokalari, Pjetër Arbnori, Frederik Reshpja, Visar Zhit, Maks Velo, Luan Myftiu, si dhe disa shkrimtarë të talentuem të ditëve tona si Fatos Kongoli, Preç Zogaj, Rudolf Marku, Besnik Mustafaj. Libri përfundon me "I persosuni i botës e i gjithçkafes asht Zoti"...
* * *
Vepra ka një fizionomi të vetën parashtrimi, që buron nga fakti që nga pena e autorit nuk rrjedh vetëm gjykimi, analiza e ftohtë e studiuesit; sepse, tue qenë një personalitet i letrave, penën e ven në lëvizje edhe një forcë tjetër shpirtnore: ndjenja. Gjykim e ndjenjë përndriten nga ideali. Komentet janë origjinale, hove të fuqishme, të befasishme e të sinqerta, të indëzueme përherë nga emocione të fuqishme. Po bie një shembull: Në fillimin e bukolikës së Naimit "Bagëti e Bujqësi": 'O ju malet e Shqipërisë e ju o lisat e gjatë!' - shkruen autori - na shtohen ndiesitë, kemi një hymen që këndon madhëni shqiptare e me prirje naltësie, për të cilën kemi aq nevojë. Malet që kanë një bukuri egërsuese, kanë edhe ajrin e pastër e fuqinë mitike të orëve e të zanave: një pastërti që të jep mundësi të shofish në thellësi, e sadopak në horizont".
Kjo fizionomi parashtrimi e landës i jep një vulë origjinaliteti bukurie të veçantë stilit të autorit, i sendërtuem me fraza shpesh të gjata e po aq shpesh edhe të shkurta, shumë herë eliptike. Do të zgjateshim po të jepshim shembuj. Asht një stil tashma karakteristik, që e dallon autorin; një stil i konsoliduem, sepse ai e ka përdorë vazhdimisht, edhe në vepra dokumentare, memoriale e edhe letrare artistike. Ndër shumë elemente të tjerë stilistikë të shfrytëzuem mjeshtërisht, më vjen mbarë të dalloj përdorimin e dendun të shkallëzimeve, aliteracioneve dhe esklamacioneve në funksion të sqarimit e të përforcimit të idesë, thellimit dhe shtrimjes së ndjenjës. Jo vetëm frazat e shkurta e të randueme nga mendimi, po edhe të gjatat, jo rrallë i japin stilit ngjyra sentence: "Arti për të ekzistue duhet të japë vlerat poiztive të kohës", "Artisti i përkryem në ekzistencë asht Zoti", "Ideali ma i zgjedhun në botën e fajeve asht ai i pendimit rranjësuer. Njeriu i papenduem nuk ka njohje të hapun, as ecje e jo udhë zhvillimi. Udha e zhvillimit ka horizontet e veta, që shkojnë shumë thellë: thellësi të pastërta e bukuri sublime, që i përkasin idealeve ma të nalta të njofjes", "bashkimi, që fillon me mirëkuptim, duhet të arrijë te harmonia. Ma vonë vjen uniteti që asht maja e dukshme e suksesit".
Ky stil origjinal e gjen veten sidomos në përcaktimet e veprave, në karakterizimet e personaliteteve të letrave, të situatave dhe të fakteve të veçanta, me anën e fjalive të shkurta, zakonisht eliptike, me epitete e atribute, të veshuna aty-këtu me një rrobë të mëndafshtë metaforike, që shkojnë crescendo, me përsëritje në përforcim e sqarim të ideve, etj. Ja një fragment nga karakterizimi i Fishtës: "…Talent mbi talent. Asht i dashtun, i rreptë, i fuqishëm, mendimtar, meditativ, i gojës, i zemrës, energjik, i shiut të butë, i reve të zeza, i rrufeve e i bubullimave, e i qiellit, i qiellit të kaltër në hapsinat shqiptare, i pavdekshëm edhe mbas deke, monument në vorr edhe kur eshtnat e tij të jenë tretun…", "Në pikapamje artistike asht i veçantë: asht një thellësi, naltësi, shtrisi me një ushtimë, me krizëm dhe me tinguj melodiozë…." .
Vepra lexohet me kënaqësi e shije për stilin; me interes për idetë origjinale, për mënyrën e trajtimit të landës dhe përfundimet e arrituna; me kërshëri për komentet, vlerësimet e sidomos për tehun e kritikës; me përfitim e dobi si një pamje e veçantë, e ndryshme, e letërsisë sonë. Edhe pse e shkrueme nga një meshtar katolik, ajo lexohet me andje nga çdo njeri i zakonshëm, i çdo besimi qoftë; mjafton që për te "nuk ka ideal ma të naltë se me njoftë Zotin, me pranue qenien e Tij, se me e dashtë Zotin, me i shërbye e me jetue për Atë". Sepse, "me njoftë qenien e mbinatyrshme - thotë autori - asht në natyrën njerëzore." Botime Françeskane Shkodër, 2006.







All the contents on this site are copyrighted ©.