Abati i madh i Mirditës Imzot Preng Doçi në përvjetorin e vdekjes.
(22.2.2009 RV)Imzot Abat PRENG DOÇI - 1846-1917 me rastin e përvjetorit të
vdekjes të bariut të vyer, letrarit të shquar atdhetarit te flakët. Hyrje Jeta
dhe vepra e Abat Doçit, ndahet në disa periudha. Periudha e parë i përket kohës kur
Preng Doçi ishte meshtar i ri dhe plot vrull. I frymëzuar nga meshtarët e zellshëm
dhe atdhetarë, që në rini vihet në ballë të punës meshtarake dhe atdhetare; periudha
e dytë kur ai, si i pjekur kalon nëpër burgje dhe në mërgim; periudha e tretë kur
ai mori detyrën e Abatit, dhe si prelat i lartë dhe diplomat i pjekur udhëhoqi Abacinë,
e cila ishte në rangun e një dioqeze dhe këshillonte mendjen shqiptare të rilindasëve;
periudha e katërt, kur abati me mençurinë e vet i bëhej krah Qeverisë Shqiptare, e
cila gjatë luftave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore gjendej në sprova të rënda
qeverisje.
Kush ishte Abati i nderuar Preng (d) (k) Doçi (Dochi), lindi
më 7 shkurt vitit 1846, nga baba Për (Pren apo Pjetër) dhe nëna Mria (Maria) në lagjen
e Parasporit, në luginën më të bukur në botë, atë të Bulgrit, siç e quante këtë luginë,
romancieri i njohur Fabian Barkata, në romanin e vet Lule. Lugina e Bulgrit, gjendet
në rrjedhën e poshtme të lumit të njohur të Fanit. Kurdo, në çdo stinë të vitit, në
këtë luginë syri sheh vetëm blerim, dhe përreth e qark syri vëren një rreth të bukur
pyjor. Në këtë luginë duke u shoqëruar më gurgullimën e lumit Fan të Mirditës, i cili
krijonte tinguj të bukur kumbues, nisi Prendi i vogël, të dashurohej me vendlindjen. Hapat
e parë të njohurisë më Kishën dhe më germat e abetares, Prendi i bëri së bashku më
të ëmën duke shkuar në Kallmet, ku ishte rezidenca ipeshkvnore e Lezhes. Aty vazhdoi
të qëndronte për disa vite deri sa përfundoi shkollën fillore. Në moshën 14 vjeçare,
pikërisht në vitin 1856 hyri në Seminarin Papnor të Shkodrës, ku qëndroi deri më 1861.
Në Seminar u dallua për zell dhe mësime të mira, kështu në vitin 1861 u dërgua në
Kolegjin Urban të Romës për studime të larta teologjike. Gjatë studimeve në Romë,
pati rastin të njihej më letërsinë Arbëreshe, historinë e Shqipërisë dhe poetin e
madh Jeronim De Rada.
Veprimtaria meshtarake Pas përfundimit të studimeve
në vitin 1871, Dom Preni i pajisur më njohuri u kthye në Shqipëri, dhe pa u çmallur
me të afërmit dhe vendlindjen u caktua famullitar në Korthpulë. Krahas kujdesit
për gjendjen shpirtërore të popullit, ai shqetësohej shumë për gjendjen e vështirë
të mirditasve nën zgjedhën Osmane. I frymëzuar qysh në fillim të rinisë së vet me
idenë e thjeshtë atdhetare, sapo shkeli në tokën e të parëve, në Mirditë, për shkak
të trysnive të vazhdueshme të pushtuesve, krahas përkujdesit shpirtëror të besimtarëve
u dha pas çështjes kombëtare. Ai, çështjen kombëtare e përforcoi edhe kur ishte si
kapelan dhe sekretar tek Abati i Oroshit, dom Gasper Krasniqit gjatë viteve 1872-1875. Kryengritja
e viteve 1876-1977, të mirditasve kundra osmallinjve, ishte rezultat i organizimit
të dom Prekë Doçit dhe bajraktarit të Mirditës Preng Bibë Dodës. Puna rreth këtij
organizimi bëri që ipeshkvi i dioqezës së Lezhës, Françesko Malçinski, shtetas austriak
me kombësi nga Ukraina, ta suspendonte (shkishëzontë) dom Prengun nga shërbimet meshtarake.
Dom Prengu, duke qenë tashmë i vetëdijshëm së çfarë mendimi ka ipeshkvi për të, duke
mos kërkuar mëshirë nga ai, mori arratisjen në mal së bashku me shumë bashkëfshatarë.
Kështu në muajin maj të vitit 1877 dom Prengu së bashku me disa shokë u nisën nëpër
shtigje malore për të shkuar në Cetinë dhe më larg. Por udha e tij ishte shumë e shkurtër
sepse në Vuthaj të Guicë u zu nga ushtarët turq dhe prej andej e dërguan në Pejë dhe
më në fund në Stamboll të Turqisë. Nga kjo ditë për dom Prenkë Doçin, 31 vjeçar rifilloi
një jetë me plot sprova, e cila do të zgjaste plot njëmbëdhjetë vjet, duke kaluar
nëpër tre kontitente të botës.
Prend Doçi 11 vjet në mërgim Pasi u dërgua
në burgun e Stambollit, falë një bashkëvendasi, Nikollë Përlaskajt, i cili kishte
qëlluar roje në burgun e Konstadinopolit të atëhershëm, Doçi arriti të kontaktojë
me patriarkun katolik të këtij kryeqyteti, armenin Stefan Azarjan, i cili sapo u njoftua
për këtë çështje ndërmori aksionin për ta liruar dom Prendin. Në fund ia doli kësaj
pune në krye dhe Doçi u lirua nga burgu me kusht që të largohej jashtë perandorisë
osmane. Dhe i gëzuar pa masë, dom Prendi me ëndje u nis për në Romën e ëndërruar.
Ai më 7.VII. 1877, nga Roma i dërgoi letër arqipeshkvit të Shkodrës duke i lajmëruar
se mrekullisht doli nga kthetrat e ushtarëve turq dhe se tashmë gjendej në Romë, në
Kolegjin Urbano ku i kishte përfunduar studimet e veta. Meqenëse e kishte të ndaluar
të kthehej në Shqipëri, Doçi duke e marrë miratimin nga Selia e Shenjtë u nis për
mision në Tokën e Re (Amerikë) në vitin 1877. Ishte ky shqiptari i parë që shkeli
kontinentin e ri. Dom Prendi duke qëndruar në anën tjetër të rruzullit tokësor, nga
malli për vendin e vet shpesh në mëngjes i drejtohej diellit: “Ç'prune prej dheut
të Evropës? A mi ke pa ata të mijët?” Ndërsa në mbrëmje thoshte: “Mule e mu ço shnet
atyne të mijve atje nalt ku vet e di?” Për qëndrimin e Doçit në provincën kanadeze
Brunswick, dëshmoi edhe gazeta e kohës “The morning Freeman”, të Brunswickut më 22
tetor të vitit 1881. Në kujtimet e disa priftërinjve kanadezë Doçi paraqitet si një
shembull shumë interesant i atdhedashurisë. Në vitin 1883, dom Prendin e kishn
thirrur në Evropë me shpresa kthimi në Shqipëri. Kështu ai më 2 prill të viti 1883
u gjend në Romë. Për të qenë sa më afër Shqipërisë, Selia Shenjtë e dergoi më 5 maj
po të këtij viti misionar në Tivar, ku ndejti plot gjashtë muaj. Por, përkundraj përpjekjeve
që bëri Selia Shenjte dhe kryeipeshkvi i Shkodrës P. Guerrini, për t'ia mundësua kthimin
në vendlindje, Doçi me plot hidhërim u detyra të marrë anijen e përgjatë brigjeve
të Shqipërise të merrte rrugën për në Athinë. Për shkat të shpifjeve të cilat i bënte
Ipeshkvi i Lezhës, Malçinski drejtuar për nga Stambolli dhe Roma, Dom Prendi në vitin
1884, u detyrua përsëri të largohej nga Evropa, për të marrë rrugë tashmë në kontinentin
e Indisë, pikërisht në Bombei, i caktuar sekretar i kardinalit Antonio Agliardi. Atje,
si njohës i mirë i italishtes, latinishtes dhe frëngjishtes, zuri një vend të merituar
mes të intelektualëve të Bombeit.
Kthimi në vendlindje Sado që ishte mirë
nëpër vende të cilat ishin të lira, Doçi nuk gjente prehje e qetësi. Dëshira e tij
e vetme ishte të kthehej në Shqipëri. Kështu pas kërkesave të pareshtura nga ana e
tij, nga Bombei dhe Roma për tu kthye në vendlindje, më 6 nëntor 1888, i shoqëruar
nga djem të Mirditës, i pritur katund më katund, tashmë si abat i Abacisë Nullius
(Abaci e veçantë) të Mirditës, mbërriti në Orosh. Papa Leoni i XII me dekretin
“supra montem Miriditarum”, datë 25 tetor 1888, e kishte përtrirë Abacinë e Shën Lleshdrit,
duke e shkëputur nga jurisdikcioni e ipeshkvisë të Lezhës, duke e lënë drejtpërdrejt
të varur nga Selija e Shenjte. Sipas atij dekreti, Abacia që përbëhej prej famullive
te Oroshit e të Spaçit, i shtoheshin edhe pesë famulli të tjera të shkëputura nga
Diqeza e Lezhës: Ndërfanda, Kalivarja, Qafa e Malit, Blinishti e Fandi. Kongregacioni
i Shenjt i Propogandës, me dekretin “Ssmus D: N: Leo “, datë 27 tetor 1888 , lajmëronte
Dom Prengë Doçin së Papa Shejt e kishte zgjedhur Abat të Mirditës. Duhet theksuar
se kësaj Abacie iu shtuan edhe disa famulli të tjera, me dekret të 30 shtatorit 1890,
të Selisë së Shenjte: Vigu, Mnela e Gomsiqa, duke i shkëputur nga dioçeza e Sapës.
Me dekret të 31 marsit 1894 Selia e Shenjte i shtoi edhe pesë famulli të tjera, shkëputur
nga dioçeza e Lezhës: Kashnjetin, Korthpulen, Shën Gjergjin, Ungrejt e Kaçinarin dhe
me dekret 2 korrik 1906 Abacisë iu shtua edhe Gryka e Gjadrit që i përkiste Sapës.
Abati qëndroi 28 vjet në detyrën e bariut të mirë.
Veprimtaria letrare Abati
Prend Doçi, përvese një diplomat i shquar, nderohej edhe si poet dhe letrar. Poezinë
dhe prozën e shkroi me një gjuhë të rrjedhshme dhe të përdorur mirë, duke i botuar
në Kalendarin Vepra Pijore, të vitit 1916 dhe Kalendar për të Gjithë, të vitit 1925.
Ai edhe pse në të shumtën e rasteve shkroi pa emër, ka publikuar rreth 32 vepra. Ndër
të tjera edhe fjalorin e dom Dodë Koletsit të botuar për nëntë vjet nga shoqëria “Bashkimi”.
Doçi me themelimin e shoqërisë “Bashkimi” në vitin 1899 dhe të ortografisë shqipe
me germa latine, zë vend të merituar në literaturën shqiptare. Përveç librave të botuar
prej kësaj shoqërie, kemi edhe Alfabetin që Kongresi i Manastirit, i mbajtur në nëntor
të 1908 ës, që u miratua më pak ndryshime. Abati cilësohet edhe si mbrojtës dhe nismëtar
i hapjes së shkollave shqipe në Mirditë e rrethina.
Vdekja e Abatit
Me
17 shkurt 1917 duke dalë nga dhoma e nxehtë për të shëtitur në mes të murrlanit, në
oborr të Abacisë, abati ndjeu një dobësi! Rrëzohet !E ndien veten keq! E vizitojnë
dy mjekë austriakë që ndodheshin në Orosh me ushtri. Diagnoza: bronkopolmoni e dobësim
zemre! “I ka ditët e numëruara!”, thanë mjekët! Lajmërohet kleri e të afërmit. Abat
Doçi kujtohet e thotë: dies annorum nostrorum septuaginta anni, (që jeta e një njeriu
është normalisht shtatëdhjetë vjet, (Ps. 89.10)”, të cilat i kishte mbushur e kaluar.
Thërret Dom Zef Skanen; ai e rrëfen, ia ndan kungimin dhe sakramendin e vajimit. Kështu
i bërë gati, vdekja i arriti me 22 shkurt 1917, në orën 14.30. Vdiq bariu
i mirë, letrari, atdhetari, duke ia ndërtuar vetes monumentin me vepra të pavdekshme.