2009-02-21 16:38:05

Përmes shërbimit realizohet liria e vërtetë: kështu Papa gjatë vizitës në Seminarin e Madh Romak


(21.02.2009 RV)RealAudioMP3 Liri do të thotë t’u shërbesh të tjerëve: kështu u tha Papa, të premten pasdite, seminaristëve në Romë, me të cilët u takua në prag të Festës së Zojës së Besimit, Pajtore e Seminarit të Madh Romak. Në Kapelën e Institutit, Benedikti XVI mbajti një lectio divina mbi Letrën e Shën Palit drejtuar Galatasve. Pikërisht përmes Shën Palit, Ati i Shenjtë u shpjegoi seminaristëve se ç’do të thotë “liri”:
“Shën Pali përdor një paradoks të fortë: “Përmes bamirësisë e dashurisë, jeni në shërbim”; pra liria, paradoksalisht, realizohet përmes shërbimit, bëhemi të lirë, nëse bëhemi shërbëtorë të njëri-tjetrit… E vërteta është se para së gjithash, ne jemi krijesa të Zotit e jetojmë në marrëdhënie me Krijuesin. Jemi qënie racionale. E vetëm duke e pranuar këtë racionalitet, hyjmë në të vërtetën, përndryshe biem në gënjeshtër e në të, se fundi, shkatërrohemi”.
Si krijesa të Zotit, vazhdoi Benedikti XVI, varemi prej Tij, por kjo nuk është tiranì, është dashuri. Kjo varësi është liri, pasi kështu jemi të mbrojtur nga dashuria e Krijuesit. Nga kjo marrëdhënie lindin marrëdhëniet brenda familjes:
“Liri njerëzore është, nga njëra anë, të jesh në gëzimin e në hapësirën e madhe të dashurisë së Zotit, por do të thotë edhe të jemi njëri për tjetrin e njëri me tjetrin. Nuk ka liri kundër tjetrit. Nëse unë e konsideroj lirinë time absolute, bëhem armik i tjetrit, nuk mund të bashkëjetojmë më e krejt jeta bëhet tmerr, dështim”.
Papa ndenji për darkë me seminaristët e uroi që të rritet gjithnjë e më shumë numri i thirrjeve meshtarake.








All the contents on this site are copyrighted ©.