2009-02-21 16:37:52

Benedikti XVI shkencëtarëve: jo eugjenetikës që zgjedh përsosurinë fizike dhe hedh poshtë të dobtit e të sëmurët. Njeriu është më tepër se trashëgimia e tij gjenetike


(21.02.2009 RV)RealAudioMP3 Përfundoi në Vatikan, Asambleja e 15-të e Akademisë Papnore për Jetën, e cila i kushtohej rreziqeve të eugjenetikës. Kjo e fundit ka qëllim përzgjedhjen e individëve, që mbijetojnë më mirë se të tjerët, edhe në kushte të vështira. Ka qenë praktikë e ndjekur nga nazizmi.
Anëtarët e Akademisë u pritën po sot nga Papa Benedikti XVI, që u kujtoi atyre kufirin përtej të cilit inxhinjeria gjenetike mund të kthehet në diçka tjetër, që nuk i shërben më njeriut. Ati i Shenjtë sqaroi, se në krahasim me nazizmin, praktika e eugjenetikës sot nuk del aq hapur. Natyrisht, tha ai, nuk propozohen më ideologji racore, por bëhen përpjekje për justifikimin e një mentaliteti, që e konsideron dinjitetin e njeriut dhe jetën e tij si fryt të dëshirës e të së drejtës individuale:
“Prandaj, ekziston prirja për të privilegjuar aftësitë operative, efikasitetin, perfeksionin dhe bukurinë fizike në dëm të përmasave të tjera të jetës, që nuk konsiderohen të denja. Kështu, dobësohet respekti për çdo njeri, edhe kur ka difekte në zhvillim apo ndonjë sëmundje gjenetike, që mund të shfaqet gjatë jetës. Penalizohen që nga zënia ata fëmijë, jeta e të cilëve gjykohet se nuk është e denjë për t’u jetuar”.
Papa kujtoi se mentalitete të tilla i kanë sjellë vuajtje të mëdha njerëzimit, duke shkaktuar diskriminime kundër popujve, apo etnive të tëra. Ndryshimet gjenetike ndërmjet njerëzve janë pasuri, vazhdoi Ati i Shenjtë, edhe kur kemi të bëjmë me persona jo të përsosur nga kjo pikpamje:
“Duhet ripohuar me forcë dinjiteti i njëjtë i çdo njeriu, vetëm për faktin se ka ardhur në jetë. Zhvillimi biologjik, psikik, kulturor dhe gjendja shëndetësore nuk mund të bëhen kurrë element diskriminues. Përkundrazi, duhet të konsolidohet kultura e mikpritjes dhe e dashurisë, të cilat dëshmojnë konkretisht solidaritetin ndaj atyre që vuajnë, duke zhdukur pengesat që shpesh shoqëria ngre, për të diskriminuar pesonat me të meta fizike e të sëmurë, ose më keq, duke arritur deri në përzgjedhjen e në refuzimin e jetës, në emër të një ideali abstrakt shëndeti e përsosurie fizike”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.