Seminaristët të bëhen dishepuj të vërtetë të Krishtit: kështu i tha Benedikti XVI
Komisionit Papnor për Amerikën Latine.
(20.02.2009 RV)Seminaristët duhet
të bëhen meshtarë vetëm nëse kanë vullnet e dëshirë të jenë dishepuj të vërtetë dhe
misionarë të Jezu Krishtit. Kjo është këshilla që Benedikti XVI u dha sot paradite
pjesëmarrësve të Asamblesë së përgjithshme të Komisionit Papnor për Amerikën Latine,
të cilët i priti në Vatikan. Në seminare, edukatorët e profesorët, shtoi Papa, duhet
të dallohen për aftësinë e tyre akademike e për besnikërinë ndaj Kishës.
Hoy más que nunca, es preciso que los seminaristas… “Sot më tepër se
kurrë, është e nevojshme që seminaristët, me prirje të drejtë shpirtërore e pa asnjë
interes tjetër, të kenë dëshirë të bëhen meshtarë për të qenë dishepuj të vërtetë
e misionarë të Jezu Krishtit, të aftë, në bashkim me ipeshkvijtë, ta bëjnë të pranishëm
Krishtin në ministerin dhe në dëshminë e tyre të jetës”. Pikërisht, gjatë kohës
së seminarit, vazhdoi Papa, të forcohet tek seminaristët dëshira për t’u rrënjosur
gjithnjë e më thellë në Krishtin: “Para ello es de suma importancia… Prandaj,
është me rëndësi shumë të madhe të kihet kujdes për formimin e tyre njerëzor, shpirtëroro-intelektual
e baritor, si edhe të zgjidhen mirë edukatorët e profesorët e tyre, të cilët duhet
të dallohen për aftësitë e tyre akademike, për frymën meshtarake dhe besnikërinë ndaj
Kishës, në mënyrë që t’i përgatisin të rinjtë për atë që ka nevojë e që pret prej
barinjve të tij, populli i Zotit”. Komisioni Papnor për Amerikën Latine është
themeluar në vitin 1958 nga Papa Piu XII me qëllim që të forcojë veprimtarinë baritore
të Kishës në atë kontinent.