2009-02-19 16:54:01

Nesër më 20 shkurt në Shqipëri përkujtohet 18 vjetori i rënies së regjimit komunist.


(19.2.2009 RV nga ATSH) "Nderim viktimave të sistemit komunist" titullohet ekspozita që do të hapet më 20 shkurt në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, një ekspozitë që i kushtohet atyre që u vranë pa gjyqe për fjalën e lirë, që vuajtën burgjeve të regjimit, që u internuan në zonat më të thella të vendit.
Ekspozita, e para e këtij lloji në vendin tonë dhe me këto përmasa, reflekton në një linjë krejtësisht të veçantë, mbi murin e gipsit të shtrirë në brinjët e hollit kryesor të Muzeut Kombëtar, kombinimin e fotografisë me projeksionet video, kronikat dhe dokumentarë të kohës, vitrinat që mbajnë objekte të viktimave me zërat e llahtarshëm që dënuan në gjyqet farse të viteve 1943-'1990.
Fondi i kësaj ekspozite do të integrohet dhe do të jetë bërthama e një pavioni të përhershëm në Muzeun Kombëtar, për t'u transferuar në një muze të ardhshëm vetëm për genocidin e periudhës në fjalë. Krahas muzeut është menduar të ndërtohet dhe një obelisk, i cili do të vendoset në sheshin përballë Qëndrës Ndërkombëtare të Kulturës "Arbnori", në Tiranë.
Në konferencën për shtyp organizuar sot në mjediset e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ministri Ylli Pango u shpreh se "ekspozita që do të hapet më 20 shkurt, ditën kur 18 vjet ranë mitet e komunizmit, është e ndërtuar mbi katër elementë kryesore artistikë, të cilat janë ndërveprues me njëri-tjetrin. Elementi i parë është foto-instalacioni, që është dhe struktura bazë e ekspozitës".
Për këtë specialistët kanë menduar të prezantojnë rreth 180 metra linearë printime fotografish origjinale në cilësi të lartë, bardhë e zi, të cilat qarkojnë tërë ekspozitën, të kthyera në foto instalacione me ndriçim nga pas.
"Kjo teknologji është përdorur për të tërhequr vëmëndjen maksimale të publikut tek mesazhi që përcjell ngjarja si edhe për të krijuar gjëndjen e gjysëm errësirës të domosdoshme për këtë lloj ekspozite", shtoi ai.
Duke folur për elementin e dytë të kësaj ekspozite, ministri Pango tha se "do të jetë dhe një instalacion qendror, një gardh me tela me gjëmba 15-metra i gjatë dhe 3-metra i lartë, që është pozicionuar në qendër të ekspozitës". Sipas tij, përzgjedhja e këtij elementi është bërë për t'iu kujtuar një fragment sado të vogël të pamjes së përditshme të mijra shqiptarëve që vuajtën në burgjet dhe kampet e punës përgjatë sistemit komunist.
Pikërisht detajet rrënqethëse, sjellin në memorie vuajtjet dhe masakrat përgjatë diktaturës në përpjekje për t'u larguar nga vendi drejt perëndimit. Gardhi simbolizon në të njëjtën kohë edhe barrierën e fundit të shoqërisë tonë, mungesën e vullnetit për t'u distancuar nga krimet e së shkuarës.
Projeksionet filmike, të cilat shfaqin momente të përshkallëzimit të dhunës dhe krimeve të kryera gjatë gjithë periudhës në fjalë, të cilat së bashku me foto-instalacionet janë materiale pamore origjinale që shfaqen për herë të pare, janë një tjetër element i kësaj ekspozite.
Elementi i katërt, por jo më pak i rëndësishëm, sipas ministrit Pango, janë objekte të përditshmërisë së të burgosurve, të dhuruara prej tyre apo familjarëve të tyre, objekte këto që dëshmojnë histori tragjike njerezore.
Ekspozita është konceptuar në mënyrë të tillë që përmes efekteve të dritës, zërit, video projeksionet, të përfshijë emocionalisht vizitorët, sigurisht duke i dhënë ndjesinë e përjetuar vërtet momentet dhe ngjarjet e shëmtuara, po aq dhe reale.
Pas fondit të akorduar nga qeveria për çeljen e kësaj ekspozite, për këtë projekt po investojnë një sërë institucionesh, duke kontribuar me dorëzimin e materialeve origjinale fotografike, dokumentave, objekte të përdorura nga të bugosurit, duke plotesuar anën vizuale dhe atë të përmbajtjes së ekspozitës.

Statistika të viktimave të sistemit komunist, publikuara nga MTKRS:
1. Të pushkatuar 5548 Nga këta 91 gra
2. Të burgosur 14563 Nga këta 445 gra
3. Të vdekur në burg 987 Nga këta 7 gra
4. Të futur në psikiatri 308 Nga këta 35 gra
5. Të internuar e dëbuar 21401 Nga këta 322 gra
Gjithsej të pushkatuar e të vdekur në burgjet e komunizmit numërohen 6535 viktima. Prej tyre numërohen klerikë katolikë 120 persona, myslimanë 60 persona, bektashinj 83 persona, ortodoksë 39 persona. Teksa u shkatërruan dhe u mbyllën 2169 institucione fetare, prej të cilave 740 xhami, 608 kisha e manastire ortodokse, 157 kisha e manastire katolike, 530 teqe e tyrbe.
Anri Bala.







All the contents on this site are copyrighted ©.