2009-02-19 18:03:33

Ndjekeni me guxim Ungjillin: kështu i tha Papa komunitetit të Kolegjit Papnor ‘Pio Latino Amerikan’ të Romës.


(19.2.2009 RV)Benedikti XVI priti sot paradite në audiencë në Vatikan, komunitetin e Kolegjit Papnor Pio Latino Amerikan, i cili këtyre ditëve po feston 150 vjetorin e themelimit. Papa Racinger i ftoi studentët e këtij instituti me prestigj ta përjetësojnë thesarin kulturor e shpirtëror me kontributin e tyre që përfitojnë nga “përvoja e hareshme e universalitetit të Kishës”. Që nga themelimi i tij, më 27 nëntor të vitit 1858, Kolegji Papnor ‘Pio Latino Amerikan’ i Romës është dalluar si qendër e formimit, së pari për seminaristet, e më vonë për diakonit e meshtarët. Studentët e tij – shpjegoi Papa – kurdoherë kanë gjetur një “atmosferë të thjeshtësisë, mikpritjes, lutjes e besnikërisë ndaj magjisterit të Papës”. Një atmosferë – shtoi Ati i Shenjtë – që kontribuon për rritjen e dashurisë për Krishtin e dëshirën për të “shërbyer përvujtërisht Kishën, duke kërkuar gjithmonë lavdinë e Zotit e të mirën e shpirtrave”. Këndej Papa i ftoi studentët e Kolegjit Papnor, “trashëgimtarë të një thesari njerëzor e shpirtëror”, ta përjetësojnë këtë pasuri me kontributin e “disiplinave të ndryshme kishtare e eksperiencën e hareshme të universalitetit të Kishës”. Ftesa për të ndjekur Ungjillin me guxim duke iu përgjigjur mësimit të Jezusit: “Shkoni pra e bëni nxënës të mi të gjithë popujt”.
“Ju personalisht jeni fryt i kësaj të mbjelle të mrekullueshme të mesazhit të Krishtit në histori”, u tha Papa e shtoi “ mundësia, që ofron nga Kolegji Papnor, për t’u njohur me kultura tjera e përvoja tjera kishtare, ndihmon të ndjehemi “dishepuj të vërtetë të Krishtit e misionarë të Fjalës së tij”. Një mision i jetuar në besnikëri ndaj Papës. “Dashuria e lidhja me Selinë Apostolike është një ndër tiparet më të veçanta të popujve të Amerikës Latine e Karaibeve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.