2009-02-19 16:53:00

Kriza ekonomike e paqja në Lindjen e Mesme në qendër të takimit të Papës me kryeministrin britanik, Gordon Braun


(19.02.2009 RV)Papa Benedikti XVI priti sot paradite në Vatikan, kryeministrin e Britanisë së Madhe, Gordon Braun. Në komunikatën për shtyp të Selisë së Shenjtë, theksohet se u fol “për krizën aktuale ekonomike botërore dhe për nismat në favor të vendeve më pak të zhvilluara”. Gjithashtu, u kërkua të favorizohet bashkëpunimi për projektet e promovimit njerëzor, të respektimit të ambientit e të zhvillimit të qëndrueshëm. Si Ati i Shenjtë, ashtu edhe Sekretari i Shtetit, kardinali Tarçizio Bertone e Sekretari për Marrëdhëniet me Shtete, Dominik Mambertì, me të cilët kryeministri Braun u takua më vonë, uruan që bashkësia ndërkombëtare të impenjohet më shumë për zgjidhjen e konflikteve në botë, sidomos në Lindjen e Mesme. Së fundi, u fol për disa tema me interes të dyanshëm, veçanërisht për bashkësinë katolike në Britaninë e Madhe.
Për të inkuadruar vizitën e Gordon Braunit tek Papa, gazeta e Vatikanit “L’Osservatore Romano” boton një analizë të kryeministrit anglez mbi krizën ekonomike aktuale, e cila kërcënon punën dhe perspektivat e familjeve në çdo vend e në çdo kontinent. “E di se Kisha Katolike dhe Shenjtëria e Tij – pohon Braun – janë njëlloj të shqetësuar për këtë. Vendet më të varfëra shohin se burimet financiare për zhvillimin e tyre – kërkesa dhe oferta për produkte ushqimore, tregtia dhe financimi i projekteve, ndihmat, paratë e emigrantëve, flukset e kapitalit – goditen nga përmasat dhe shtrirja pa precedent e kësaj krize”.
Në artikull nënvizohet se “vlerat fetare, si drejtësia dhe solidariteti, vlera që pohojnë se si fëmijët e varfër, ashtu edhe ata të pasur duhet të kenë të njëjtat mundësi vaksinimi e mjekimi, kanë bërë që Britania e Madhe dhe Selia e Shenjtë të mbështesin sëbashku Nismën Ndërkombëtare Financiare për vaksinimin dhe të ashtuquajturit AMC (Advanced Market Commitment), apo kontratat qeveritare që jepen për të siguruar hedhjen në treg të vaksinave për të gjithë. Vetë Papa bleu në vitin 2006, obligacionin e parë për vaksinimin. “Falë këtij obligacioni – kujton kryeministri anglez – janë mbledhur mëse një milard e 600 milion dollarë, e 500 milion fëmijë do të vaksinohen deri në vitin 2015”.
Papa Benedikti XVI ka kërkuar disa herë të gjendet një përgjigje efikase për krizën ekonomike botërore. E rëndësishme për këtë do të jetë mbledhja e G20-ës, më 2 prill në Londër. Dje, duke folur me gazetarët në “Downing Street”, kryeministri Braun sqaroi se ç’pret prejt tij:
What we need is a world...
Kemi nevojë që bota të punojë sëbashku. Çdo pjesë e botës duhet të kontribuojë në zhvillimin e ekonomisë, në mbështetjen e saj me investime të reja, duke i mbajtur të ulta interesat. G20-a e 2 prillit, uroi kryeministri britanik, të shërbejë për të gjetur mënyrën e bashkimit të të gjitha vendeve për arritjen e këtyre objektivave.
All world has to come...
E gjithë bota – u tha Braun gazetarëve – duhet të bashkohet për të mbështetur ekonominë e lirë e jo atë proteksioniste. Proteksionizmi – paralajmëroi ai – është rruga drejt shkatërrimit, do të thotë më pak tregti, më pak punë e do të ushqente një rreth vicioz në çdo kontinent.







All the contents on this site are copyrighted ©.