2009-02-19 16:52:25

Kisha në Tokën e Shenjtë kritikon ashpër një program izraelit që fyen Krishtin e Zojën e Bekuar.


(19.02.2009 RV)Përparime të rëndësishme janë bërë dje në bisedimet ndërmjet Izraelit dhe Vatikanit përsa i përket regjimit fiskal për institutet fetare katolike në Tokën e Shenjtë. Në një komunikatë të përbashkët, thuhet se “takimi u zhvillua në një klimë të përzemërt bashkëpunimi”. Të dyja delegacionet u impenjuan që të arrihet sa më shpejt në një Marrëveshje të përbashkët. Takimi i ardhshëm do të mbahet më 7 prill.
Ndërkaq, në terren, dialogu has pengesa. Këto ditë, në kanalin 10 të televizionit izraelit është transmetuar një program ku fyhet rëndë Jezu Krishti dhe Zoja. Në një notë, ipeshkvijtë katolikë të Tokës së Shenjtë, ndërmjet të cilëve Patriku latin i Jeruzalemit Fuad Tval e Patriku i nderit Mishel Sabah, theksojnë se programi është shenjë e problemeve të mëdha të shoqërisë izraelite, si intoleranca dhe refuzimi i të tjerëve. Ai inkuadrohet në sulmet kundër të krishterëve në Izrael, gjatë këtyre viteve. Ipeshkvijtë kujtojnë për shembull, kopjet e Besëlidhjes së Re, që u dogjën para publikut në oborrin e një sinagoge. Ata u kërkojnë autoriteteve të bëjnë ç’është e mundur për t’u dhënë fund fyerjeve kundër fesë së krishterë e kujtojnë se pikërisht në tokën izraelite, ndodhen shenjtëroret më të dashura për krishterimin.







All the contents on this site are copyrighted ©.