2009-02-19 16:56:15

Afganistan. Obama shpall “fazën e re”


(18.02.2009 RV)16 vetë, ndër të cilët tetë gra e dy fëmijë, mbetën të vrarë të hënën në një sulm ajror të forcave ndërkombëtare në perëndim të Afganistanit, pranë provincës së Heratit. Sot, një video e BBC-së provon vdekjen e civilëve. Ndërkaq, presidenti i SHBA-ve, Barak Obama i telefonoi po sot për herë të parë presidentit afgan Karzai, pikërisht në ditën kur shpalli se do të dërgojë 17 mijë ushtarë të tjerë në Afganistan. Obama foli për një “fazë të re”, duke pohuar se impenjimi ushtarak është i pamjaftueshëm. Të dëgjojmë Fulvio Skalionen, zv-drejtor i revistës kishtare italiane “Familja e krishterë”:
Para së gjithash, duhet bërë një reflektim i thellë mbi çfarë është bërë e çfarë jo. Ka dalë një raport i Misionit të OKB-së për Afganistanin, ku thuhet se në vitin 2008 numri i civilëve të vrarë është më i larti nga koha e largimit të talebanëve, në vitin 2001. Të vdekurit janë 2200 vetë dhe 39% e vdekjeve janë shkaktuar nga forcat aleate të NATO-s. Do të thotë që një ndër dy plumba qëllon një person që s’ka të bëjë me luftën.
Për mendimin tim, nuk mund të zgjihet me koherencë problemi i Afganistanit nëse nuk zgjidhet problemi i prodhimit dhe i tregtisë së drogës, nga e cila varet politika, ekonomia e kriminaliteti. Ky prodhim vazhdon dhe rritet nga viti në vit. Fshatarëve që merren me lulëkuqet e opiumit, sot, çfarë alternative u propozojmë? E kuptoj që është një problem shumë i vështirë, por kjo është nyja themelore që deri tani nuk është zgjidhur. Jo rastësisht, gjërat shkojnë keq e më keq.







All the contents on this site are copyrighted ©.