2009-02-17 17:03:26

Rreziku i “devijimit gjenetik” nuk është vetëm teorik: kështu foli imzot Fizikela në paraqitjen e simpoziumit “Kufijtë e ri të gjenetikës dhe rreziku i eugjenetikës”.


(17.02.2009 RV)RealAudioMP3 Të verifikohet nëse në eksperimentimin gjenetik janë të pranishme aspekte, që në fakt, vënë në jetë veprime eugjenetike, domethënë të përzgjedhjes së racës, sipas parimit të mbijetesës së më të fortit, apo më të përshtatshmit. Ky është objektivi i simpoziumit ndërkombëtar me temë “Kufijtë e ri të gjenetikës dhe rreziku i eugjenetikës”, që do të mbahet të premten e të shtunën në Vatikan. Konferenca, e organizuar nga Akademia Papnore për Jetën, u paraqit paradite në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë.
Sot, është e mundur të bëhet harta gjenetike e çdo personi, njihen miliona gene, që ndihmojnë gjetjen e përgjegjësve për shumë sëmundje, apo ofrojnë mundësinë për të shëruar patologjitë e trashëguara. Por, çdo studim në këtë fushë sjell edhe nevojën e një gjykimi etik, sidomos kur ekziston dyshimi se përmirësimi i trashëgimisë gjenetike të njeriut çon drejt eugjenezës, pra drejt përzgjedhjes së më të bukurve, më të fortëve, më të mirëve se të tjerët. Këtë denoncoi gjatë paraqitjes së simpoziumit, kryetari aktual i Akademisë Papnore për Jetën, imzot Rino Fizikela:
“Ky mentalitet, pa dyshim i kufizuar, por i pranishëm, ka prirjen të mendojë “se ekzistojnë njerëz me vlerë më të ulët se të tjerët, si për shkak të kushteve të tyre të jetesës, si varfëria, ose mungesa e arësimimit, ashtu edhe për shkak të kushteve fizike, si për shembull të sëmurët me të meta fizike, psikike, personat në të ashtuquajturën “koma vegjetative”, të moshuarit me patologji të rënda”.
Këtu qëndron, sipas imzot Fizikelës, rreziku për një devijim të gjenetikës, shkencë, e cila e përdorur ashtu si duhet, i sjell të mira të pakrahasueshme njeriut, ndërsa nëse përdoret keq, mund ta çojë atë drejt një relativizmi të frikshëm edhe në një fushë kaq delikate siç është jeta dhe gjithçka sillet rreth saj. Pikërisht këtë theksoi kancelari i Akademisë Papnore për Jetën, imzot Injacio Karrasko de Paula:
“Objektivi kryesor është të tërhiqet vëmendja e të gjithëve mbi të mirat e pakrahasueshme, që mund të sjellë puna kërkimore në fushën e gjenetikës, nëse, siç na duket e drejtë dhe e dëshirueshme, drejtohen në të si impenjimi i punonjësve shkencorë, ashtu edhe investimet publike e private, duke kapërcyer tundimet e shtigjeve, në dukje më të lehta, që propozon eugjenetika”.
Profesor Bruno Dalapikola, pedagog i gjenetikës mjekësore në Universitetin “La Sapienza” të Romës, u ndal në pasojat e njohjes së genomës njerëzore. Shpesh, theksoi ai, zbulimet e reja të gjenetikës u propozohen personave, pa kaluar nëpër protokollet mjekësore, të domosdoshme për afirmimin e të rejave shkencore. Fatkeqësisht, edhe shëndeti mund të kthehet në treg. Megjithatë, pranoi ai, njohja e genomës, bën që çdo person të konsiderohet jo më një numër, por si njeri i ndryshëm nga të tjerët e kjo sjell ndryshime të rëndësishme edhe për mjekësinë:
“Ka një admirim të madh për këtë përparim shkencor, që me të vërtetë po ndryshon jetën. Kuptimi i bazave biologjike të sëmundjeve na lejon të përmirësojnë diagnostikën. Por natyrisht, nevojitet maturi dhe kujdes në përdorim, pasi jo gjithnjë ajo që shitet si ar i kulluar është për të mirën e njerëzimit”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, imzot Fizikela nënvizoi se mendimi i Kishës për temat që kanë të bëjnë me fillimin e mbarimin e jetës duhet marrë gjithnjë parasysh:
“Të paktën në një shoqëri demokratike laike, instancat e pranishme në territor nuk duhet vetëm të dëgjohen. Vetë legjislatori duhet ta ndjejë nevojën për të dëgjuar instancat e ndryshme, me qëllimin e formulimit të një legjislacioni, i cili të jetë sa më konform asaj shoqërie pluraliste, ku jetojnë edhe katolikët”.







All the contents on this site are copyrighted ©.