2009-02-17 17:02:05

Kosova në festë për një vjetorin e pavarësisë


(17.02.2009 RV)Kosova në festë për një vjetorin e pavarësisë. “Më 17 shkurt 2008 – tha presidenti Fatmir Sejdiu në mbledhjen përkujtimore të parlamentit, që u mbajt sot në orën 11 – u mbyll një kapitull i gjatë i historisë sonë, që na ka kushtuar shumë viktima të pafajshme e mijëra persona të zhdukur”. Por Sejdiu bëri edhe një bilanc pozitiv të vitit të parë të pavarësisë. Simbolet, himni, miratimi i Kushtetutës, krijimi i Forcave të Sigurisë e njohja e Kosovës nga 54 vende të botës janë ndër sukseset e një shteti – gati protektorat i bashkësisë ndërkombëtare.
Festimet filluan që gjatë natës me kortezhe të gjata makinash me flamurë kosovarë, shqiptarë, amerikanë dhe të vendeve miq. Fishekzjarrët, të cilët shpërthyen edhe sot, paralajmëruan që dje gazin e harenë, që do të karakterizonte këtë 17 shkurt. Restorantet e rrugës “Nënë Tereza” në Prishtinë u mbushën plot, në pritje të paradës së të rinjve me kostume tradicionale, që u zhvillua sot në mesditë. Ndërsa ne po transmetojmë ka filluar një koncert rok në sheshin kryesor, ndërsa në orën 18.00 është zhvilluar një koncert me muzikë klasike në teatrin e kryeqytetit.
Njëkohësisht me festimet në Kosovë, në veri të vendit, në Zveçan,ku shumica e popullsisë është serbe, është zhvilluar një mbledhje në praninë e ministrit për çështjet kosovare, Goran Bogdanoviç. Nga mbledhja doli një rezolutë ku ripohohet se Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë. Po t'i kthehemi festimeve të 1 vjetorit të pavarësisë e të dëgjojmë Rabije Ibrajn nga Prishtina.......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.