2009-02-17 17:03:12

Benedikti XVI u kërkon besimtarëve të luten për sinodin e ipeshkvijve të Afrikës. Kameruni e Angola presim me padurim vizitën e Papës në mars


(17.02.2009 RV)RealAudioMP3 “Që Kisha në Afrikë të gjejë rrugë e mjete të përshtatshme për të nxitur me efikasitet pajtimin, drejtësinë e paqen, sipas synimeve të Asamblesë II të veçantë për Afrikën të Sinodit të Ipeshkvijve”, në program në tetor të këtij viti. Ky është ndjeti i lutjes misionare të Papës për muajin shkurt. Benedikti XVI nënvizon rëndësinë e kësaj ngjarjeje për të gjithë Kishën. Para Sinodit, nga 17 deri më 23 mars, Ati i Shenjtë do të shkojë në udhëtimin e parë apostolik në kontinentin afrikan. Besimtarët në Kamerun dhe në Angola e presin me padurim. Në Jaundé, kryeqytet i Kamerunit, më 19 mars do të kremtohet mesha, gjatë së cilës Papa do të dorëzojë Instrumentum Laboris të Asamblesë sinodale për Afrikën.
Kontinenti i zi ka qenë gjithnjë në mendjen e zemrën e Benediktit XVI, që nga fillimi i papnisë. Në takimin me klerin e Romës, më 13 maj 2005, Papa u ndal në pasurinë e jashtëzakonshme njerëzore e shpirtërore të Afrikës, duke nënvizuar edhe përgjegjësitë e Evropës për prapambetjen e kontinentit:
“Afrika është një kontinent me mundësi shumë të mëdha, me njerëz shumë bujarë, me një fe të gjallë, që bën përshtypje. Por duhet edhe të pranojmë se Evropa ka eksportuar aty, jo vetëm fenë e Krishtit, por edhe të gjitha veset e Kontinentit të Vjetër. Ka eksportuar korrupsionin, dhunën, që tani po shkatërron Afrikën. E duhet të pranojmë përgjegjësinë tonë për të bërë që eksportimi i fesë, e cila i përgjigjet aspiratave të brendshme të çdo njeriu, të jetë më i fortë se eksportimi i veseve të Evropës”.
E gjithnjë në muajt e parë të papnisë, në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 3 korrikut 2005, Papa përfitoi nga mbledhja e G8-ës në Skoci, për t’i kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të mos i harrojë popullsitë afrikane, të goditura nga varfëria e konfliktet:
“I uroj nga zemra sukses të plotë kësaj mbledhjeje të rëndësishme, duke uruar që ajo të arrijë ndarjen me solidaritet të kostos së reduktimit të borxhit, të zbatojë masa konkrete për çrrënjosjen e varfërisë e të nxisë zhvillimin e vërtetë të Afrikës”.
Të gjitha këto thirrje janë përsëritur me forcë gjithnjë, sidomos në fjalimet para Trupit Diplomatik, në audiencat me prelatët afrikanë në vizitë ad Limina (së fundi, për shembull, me ata të Nigerisë), dhe në mesazhet për Ditën Botërore të Paqes. Pikërisht në mesazhin e 1 janarit 2009, në mesin e krizës ekonomike globale, Benedikti XVI bëri thirrje që vendet e pasura të mos mbyllen në egoizëm, por t’u japin vendeve afrikane “të njëjtat mundësi për të marrë pjesë në tregun botëror, duke shmangur përjashtime e mënjanime”.







All the contents on this site are copyrighted ©.