2009-02-16 16:16:13

Shkenca e feja: në Romë kremtohet një meshë për Galileo Galilein.


(16.02.2009 RV)“Galileo jo më kot është quajtur “njeri i Zotit”, pasi ai diti ta shohë e ta studiojë shkencën përmes syve të fesë”: kështu shkruan Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone në telegramin, që u drejtoi pjesëmarrësve të meshës në nder të Galileo Galileit. Mesha u kremtua dje paradite në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve në Romë, me rastin e 445-vjetorit të lindjes së astronomit të madh pizan. “Galileo – shpjegoi kryetari i Këshillit Papnor për Kulturën, imzot Xhanfranko Ravazi, që kryesoi meshën – diti të dallojë dy arësyet, atë të shkencës e atë të të vërtetave të dobishme për shpëtimin tonë”. Mesha e djeshme, e kërkuar nga Federata Botërore e Shkencëtarëve, është një hap i rëndësishëm në dialogun e shkencës me fenë. Të dëgjojmë jezuitin, atë Enio Brovedani, drejtor i Institutit Stensen dhe ideator i konferencës ndërkombëtare kushtuar “Çështjes së Galileut”, në program në Firence të Italisë, nga 26 deri më 30 maj:
Jam optimist pasi në këtë nismë marrin pjesë 18 institute ndërkombëtare, institutet më të rëndësishme kishtare, universitare dhe kulturore e sidomos ato institute që, në histori, kanë pasur një rol në çështjet galileane. E është interesant të shohësh se si të gjithë e kanë kuptuar rëndësinë e problemit, të temës. Ky është një sinjal pozitiv, natyrisht. Të gjitha institucionet janë të bindura se ekzistojnë kushtet për të krijuar një klimë sinergjie ndërmjet mesazhit të promovimit njerëzor të Kishës dhe kërkesave të sotme të punës kërkimore tekno-shkencore.

Cilat janë përpjekjet që duhet të bëjnë Kisha nga njëra anë, sidomos teologët, dhe bota shkencore nga ana tjetër, për një bashkëpunim më të frytshëm?
Përpjekjet duhen bërë nga të dyja palët, të cilat duhet të shohin përpara, drejt së ardhmes, pa ua vënë veshin mosmarrëveshjeve të së kaluarës. Mendoj se reflektimi mbi Galileo Galilein i ka bërë të vetëdijshme si shkencën, ashtu edhe filozofinë e Kishën për kufizimet reciproke, për nivelet e ndryshme të njohjes e të dijes. Kjo ka kontribuar të kuptohet sa i ndërlikuar është realiteti, cilat janë problematikat etike, që ngre aktiviteti kërkimor-shkencor, para se të bëhet dije. Dimë edhe se kjo dije mund të kthehet në pushtet e në fakt, po kthehet në pushtet. E sa herë duhet administruar pushteti kemi të bëjmë me detyrën, që sjell probleme etike.







All the contents on this site are copyrighted ©.