2009-02-16 14:50:55

Benedikti XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot i ftoi të krishterët të rizbulojnë vlerën e Sakramentit të Rrëfimit.


(16.2.2009 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot i ftoi të krishterët të rizbulojnë vlerën e Sakramentit të Rrëfimit. Në Sakramentin e Pendesës, Krishti na pastron me mëshirën e vet të pakufishme: ky është reflektimi që Papa u ofroi besimtarëve, dje në mesditë gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Benedikti XVI e komentoi pjesën e Ungjillit të Liturgjisë të së dielës, e cila përshkruan shërimin e mrekullueshëm nga Jezusi të një të sëmuri nga gërbula. Papa i ftoi besimtarët të kërkojnë mbështetje në Sakramentin e Rrëfimit, për të cilin tha se duhet të rizbulohet në rëndësinë dhe vlerën që ka për jetën shpirtërore. Duke komentuar pjesën e Ungjillit të së dielës mbi mrekullinë e shërimit të të gërbulurit nga Jezusi, Papa shpjegoi se sipas ligjit të vjetër hebraik, "gërbula konsiderohej jo vetëm si sëmundje, por si forma më e rëndë e papastërtisë (fëlliqësisë) për kultin" që sillte largimin e të gërbulurit nga komuniteti deri në shërimin e mundshëm:
" Prandaj gërbula përbënte një lloj të vdekjes fetare e civile, e shërimi i saj konsiderohej si një lloj ringjalljeje. Në gërbulë është e mundur të ravizohet simboli i mëkatit, që është papastërtia e vërtetë e zemrës, që na largon prej Zotit. Në të vërtetë nuk është sëmundja fizike e gërbulës, siç parashikonin rregulloret e vjetra, që na ndan prej Tij, por faji, është e keqja shpirtërore e morale".
"Mëkatet që bëjmë – vijoi Papa – na largojnë prej Zotit e, në se nuk rrëfehen përvujtërisht, duke besuar e duke u mbështetur në Mëshirën Hyjnore, arrijnë të na shkaktojnë deri edhe vdekjen e shpirtit". Prandaj shërimi i të gërbulurit është gjest me vlerë të jashtëzakonshme:
"Kjo mrekulli atëherë merr një vlerë të fortë simbolike. Jezusi, siç pati profetizuar Izaia, është Shërbëtori i Zotit që "i mori mbi vete vuajtjet tona, mbi shpatulla të veta i ngarkoi dhimbjet tona” (Iz 53,4). Në mundimet e tij, Jezusi do të bëhet si i gërbuluri, i papastër prej mëkateve tona, i ndarë prej Zotit: të gjithë këtë Ai do ta bëjë për dashuri, me qëllim që të nxjerrë e të fitojë për ne pajtimin, faljen e shpëtimin".
E në vazhdim të reflektimit, Papa nënvizoi se si në Sakramentin e Pendesës, Krishti i kryqëzuar e i ngjallur, përmes mbarështuesve të tij, "na pastron me mëshirën e vet hyjnore, na kthen në bashkimin tonë me Atin qiellor e me vëllezërit tanë, na dhuron dashurinë e tij, gëzimin e paqen e tij". E këtu Papa i drejtoi një thirrje besimtarëve:
"Të dashur vëllezër e motra, t'i lutemi Virgjërës Mari, të cilën Hyji e ka ruajtur nga çdo njollë mëkati, të na ndihmojë t'i shmangemi mëkatit e të frekuentojmë rregullisht Sakramentin e Rrëfimit, Sakramentin e Faljes, që sot duhet rizbuluar edhe më shumë në vlerën dhe rëndësinë e vet për jetën tonë të krishterë".
  "Ungjilli i kësaj së diele – tha pastaj Papa duke iu drejtuar shtegtarëve në gjuhën polake – na tregon Jezusin i cili, duke e shëruar të gërbulurin, përkulet mbi mjerimin, mbi sëmundjen e mbi vuajtjen njerëzore". Këtë Jezusi e bën, vërejti Papa –"plot përdëllim, respekt dhe falas". Duke takuar mjerimin njerëzor, bëri thirrje Papa, ta "imitojmë Jezusin, duke i dhënë të afërmit ndihmën tonë konkrete, një fjalë shprese e një gjest ngushëllimi".







All the contents on this site are copyrighted ©.